"Klevis Balliu u shkri te protesta e Astirit", Berisha: Basha e hoqi me urdhër të Ramës se çoi protestuesit afër Surrelit

Nga "Foltorja" e Beratit, ish-kryeministri Sali Berisha solli në vëmendje protestat e qindra banorëve të Astirit, të cilët sipas tij u braktisën dhe lanë në baltë në kauzën e tyre nga opozita e drejtuar nga Basha.

Ish-deputeti Klevis Balliu, sipas Berishës u hoq nga Basha me urdhër të Ramës pasi ai i çoi protestuesit në afërsi të Surrelit.

Berisha nuk la pa përmendur edhe rastin e Teatrit Kombëtar. Ai u shpreh se opozita me në krye Bashën nuk ishte e aftë t'i vinte gjoksin asnjë proteste popullore.

Berisha: Kjo është esenciale, dështuam në çdo nisëm, 420 ditë protestuan për të drejtën e tyre kundër mafjes shtetërore disa qindra banorë të zonës së Unazës së Re në Tiranë, 420 ditë. Një deputet u shkri me ta ditë e natë dhe cili ishte rezultati miqtë e mi? Ata u lanë në baltë dhe deputeti u hoq nga listat. Po pse u hoq nga listat? Absolutisht me urdhër të Ramës sepse i çoi protestuesit afër Surrelit, kjo është e vërteta. Një natë ai u priu protestuesve dhe i nxori karshi sarajeve të sulltanit.

Por kjo e tronditi dhe hakmarrja e tij ra mbi deputetin tonë, Klevis Balliu dhe ndaj qindra protestuesve që protestuan ditë e natë. Po kështu ndodhi edhe me Tetarin Kombëtar, nuk qe e zonja opozita të vërë gjoksin në asnjë protestë popullore. Realiteti ky është pra edhe ne duhet të bëhemi opozitë njëherë në radhë të parë dhe ta vëmë përpara qeverinë.