‘Doza e tretë rol shumë të rëndësishëm”, Bino: Jemi i vetmi vend që po lusim studentët të vaksinohen

Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi sot që personat mbi 60 vjeç të bëjnë dozën e tretë të vaksinës jo më herët se 6 muaj pasi kanë bërë dozën e dytë, duke filluar nga data 1 nëntor.

Shefja e departamentit të Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, në një intervistë  për Ora News, me gazetaren Matilda Mcini, tha se ky vendim është mbështetur në të dhëna dhe studime të ndryshme.

Doza e tretë sipas Binos është e nevojshme pasi efektivitetit i vaksinës fillon të zbehet pas gjashtë muajsh.

Silva Bino:Duhet të jemi të kujdesshëm, pandemia s’ka mbaruar. Komiteti i ekspertëve për vaksinimin është një Komunitet që funksionon për të gjithë llojet e vaksinave. Ky vendim është mbështetur në të dhëna dhe studime të ndryshme që kanë treguar se efikasiteti i vaksinës fillon dhe zbehet pas 6 muajsh. Kjo është arsyeja se përse ka vendosur për një dozë të tretë. Doza e tretë e vaksinës ka një rol shumë të rëndësishëm për vetë faktin se kjo parandalon ato që quhen infeksione tek personat e vaksinuar. Personi sa më shumë i mbrojtur të jetë aq më pak e transmeton virusin.

Doza e tretë është një hap që vlen jo vetëm për mbrojtjen e jetës por edhe për përhapjen e sëmundjes.

Silva Bino: Është një hap që vlen jo vetëm për mbrojtjen e jetës së njerëzve por edhe për hapjen e sëmundjes.

Në lidhje me vaksinimin e studentëve Bino u shpreh se jemi i vetmi i vend në botë që po i lusim që të bëjnë vaksinën, ndërsa shton se duhet të ndodhte e kundërta.

Silva Bino: Nuk e kuptoj. Ne jemi i vend ku gjithandej promovohet që pse studentët duhet të bëjnë vaksinën. Studentët duhet të të luteshin për të bërë vaksinën, ndërsa ne po iu lutemi studentëve për ta bërë vaksinën.

Është shumë e rëndësishme që studentët ta bëjnë vaksinën, janë shtresa më e rëndësishme e shoqërisë. Ata janë njerëzit më aktivë, bëhen transmetues më të mëdhenj të infeksionit. Pra, janë një sërë elementesh që ata i bën tepër të rëndësishëm për të kryer vaksinën. Edhe në vende të tjera të botës ka detyrime sepse jemi në kohë pandemie. E në kohë pandemie ka detyrim të vaksinohen. Eshtë shumë e rëndësishme që ata të binden e të vaksinohen. Nëse nuk duan duhet të bëjnë testin e covid.

Përgatiti për online Anila Kolgjini