VKM/ Do të rritet me 10% ndihma ekonomike! Mjekët dhe infermierët sërish rritje rroge me 6%

Këshilli i Ministrave miratoi sot projekt-buxhetin për vitin 2022. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu u shpreh se u morën disa vendime të rëndësishme në kuadër të politikave të reja dhe programeve që do të hyjnë në fuqi gjatë vitit 2022. Këto politika të reja dhe programe, sipas Manastirliut, do të influencojnë direkt në mbështetjen e qytetarëve në nevojë dhe shtresave që mbështeten në programet e mbrojtjes sociale.

Vendimet:

1- Programi i ndihmës ekonomike si një mburojë sociale për të gjitha familjet në vështirësi ekonomike do të ketë rritje për të gjitha familjet përfituese në masën 10%;

2- Politika të shenjëstruara për familjet të cilat përfitojnë nga programi i ndihmës ekonomike dhe janë  familje me 3 fëmijë nën 18 vjeç do të ketë një rritje të ndihmës ekonomike me 2 herë;

3- Do të vijojmë të mbështesim fëmijët pa prindër duke ja dyfishuar masën e mbrojtjes së këtij programi;

4- Gratë e trafikuara dhe të dhunuara do të ketë një rritje me 3 herë të masës së ndihmës ekonomike që jepet nga ky program;

5-Për shtresat që mbrohen me subvencionin e energjisë elektrike 45 milionë dollarë do të vijojnë të alokohen n buxhetin e shtetit për mbrojtjen dhe kompensimin e energjisë elektrike për shtresat në nevojë;

6- Do të ketë rritje të buxhetit për sa i përket pagave për personelin mjekësor  me 6%, kjo rritje hyn në fuqi nga data 1 korrik 2022;

7-Do të vijojmë të garantojmë furnizimin me vaksina për të siguruar të gjitha vaksinat e nevojshme bazuar në dinamikën e situatës.