Menaxhimi i mbetjeve/ Opozita- Ramës: Pa pastruar politikën s’mund të pastrohet territori. SPAK të veprojë

Kryeministri Edi Rama u ka lënë afat deri në dhjetor bashkive për të shtuar fondet për menaxhimin e mbetjeve.

Në lidhje me deklaratën e Ramës që bëri ditën e sotme, ka reaguar dhe opozita duke thënë se për situatën me pastrimin e plehrave përgjegjës është vetë kreu i qeverisë, pasi shpenzoi miliona euro.

Sekretarit të Përgjithshëm të LSI, Endrit Braimllari, në një deklaratë për mediat shprehet se situata e mbetjeve në vendin tonë është dramatike ndërsa shton se Rama vodhi fondet publike e tani do që të heqë përgjegjësinë nga vetja .

Më tej shton se SPAK duhet të veprojë urgjentisht në lidhje me këtë çështje.

Postimi i  Braimllarit

Opozita ka reaguar në lidhje me Braimllari: Situata me pastrimin e plehrave përgjegjësi e Edi Ramës, shpenzoi miliona euro në kurriz të qytetarëve sot bën komedi

Deklarata e plotë e Sekretarit të Përgjithshëm të LSI, Endrit Braimllari

Përshëndetje!

Situata e mbetjeve në Shqipëri është dramatike, dhe po përkeqësohet nga dita në ditë, duke rrezikuar rëndë jo vetëm shëndetin e qytetarëve por dhe ambientet publike që po pushtohen nga plehrat.

Kryeministri bën propagandë dhe mashtron opinionin publik. Përgjegjësi kryesor për këtë situatë shumë të rëndë në vend është vetë Edi Rama. Të gjitha vendimet e qeverisë që ai drejton janë vendime abuzive dhe shpërdorimi të fondeve publike.  Qeveria e Edi Ramës ka shpenzuar qindra miliona euro për djegien e mbeturinave me inceneratorët dhe jo vetëm por situata vijon të jetë tragjike.  Kosto e inceneratorit të Elbasanit është 40 milionë euro, e atij të Fierit rreth 35 milionë euro dhe e incerenatorit të Tiranës 300 milionë euro.

Asnjë shfajësim dhe asnjë demagogji, nuk e çliron Edi Ramën nga përgjegjësia por e rëndon gjithmonë e më shumë sepse ai ëshë vetë koka e inceneratorëve dhe abuzimit me taksat e qytetarëve.

Edi Rama pasi vodhi dhe shpërdoroi fondet publike me inceneratorët, tani bën komedi duke hequr çdo përgjegjësi nga vetja.

Faktet janë në dritën e diellit dhe pasojat shumë të rënda i shikojmë dhe i prekim vetë çdo ditë.

Demagogjitë e Edi Ramës dhe estradat me ushtrinë që del e mbledh plehrat dhe ministra që bëjnë sikur mbledhin mbeturina nuk i ha më njeri pasi i ka dalë boja, sepse e kanë parë këtë estradë disa herë në këto 8 vite dhe rezultati është një katastofë e vertetë. 

SPAK duhet të veprojë urgjentisht pasi çdo sekondë vonesë dhe mosveprim rëndon së tepërmi dhe pozitën e saj.

Pasi grabitja dhe shpërdorimi i fondeve publike është një fakt që nuk e luan topi.

Nga ana tjetër ka reaguar dhe sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, i cili thotë se kontributi i vetëm i Ramës gjatë viteve që ka qenë në pushtet është ndërtimi i inceneratorëve, për të vjedhur paratë e shqiptarëve.

Postimi i Bardhit:

I vetmi kontribut tetëvjeçar i Ramës për pastrimin e mbetjeve, është ndërtimi i inceneratorëve për t’u vjedhur paratë shqiptarëve…

Pa pastruar politikën nuk mund të pastrohet territori.

#vettingnëpolitikë