Skandali me pallatin në Kinostudio, Rushaj me banorët: Shembjen e duan qeveritarët, kjo është mafioze

Nënkryetari i PD-së, Alfred Rushaj, u takua me disa familje në zonën e Kinostudios, për të përcjellë shqetësimin e tyre për shembjen e dyshimtë të pallatit ku banojnë 2 vjet pas tërmetit.

Pallati është cilësuar i banueshëm nga ekspertiza e parë, por një ekspertizë e mëvonshme e cilësoi në rrezik shembjeje.

"Këtu po bëhet një lojë e dyfishtë në lidhje me kodet e ndërtimit pasi akti i ekspertimit që ka bërë bashkia ky pallat plotëson kushtet ligjore dhe teknike dhe nga ana sizmike nuk është i rrezikshëm," u shpreh një banor.  

Rushaj u shpreh se qeveria ka bërë një projekt dhe ka interesa financiare e për këtë arsye do ta ndjekin deri në fund.

Rushaj: Ne jemi opozitë, ajo çfarë unë bëj është ta ngre zërin, të dal në medie, ta ngre zërin në Parlament. Unë mund të vazhdoj gjithashtu atë çfarë një shtet normal duhet bërë për t'u quajtur kallëzim penal dhe për t'i kërkuar  llogari si palë proceduriale atyre që e kanë pasur çështjen. Këta po mundohen që këtë gjë që po bëjnë këtu po mundohen ta bëjnë edhe poshtë te bregu i lumit. Po prishin këtë shtëpinë dhe po ju çojnë ju atje, dhe atje po prishin shtëpi që ju të  strehoheni. Ndërkohë që ju këtu edhe shkatërroheni edhe ka kosto sociale, financiare për ju dhe për shtetin.

Më tej Rushaj u shprehse "fakti që i kanë bërë presion banorëve për t'i prerë ujin dhe dritat në mënyrë që ata të boshatisin pallatin është mafioze."