Rama “kërcënon” kryebashkiakët: Plehrat dhe ndërtimet do të kontrollohen me satelit

Në mbledhjen me krerët e bashkive, kryeministri Rama ka i “kërcënuar” ata se do të monitorohen me satelitë nga marsi 2022 për situatën e plehrave.

Ai tha se do të jepen informacione në kohë reale për çdo vend-depozitim të vendit dhe nuk do të ketë fare nevojë për inspektorë në terren.

Rama shtoi se secili do ta ketë në tavolinë pamjen, që do të ndihmojë shumë kundër abuzivizmit, edhe për plehrat, edhe për ndërtimet që nuk i shikojnë kryebashkiakut apo edhe policia.

Rama: Dhe mos harroni dhe një gjë tjetër, që në mars ne do të vëmë në veprim satelitin e parë dhe sateliti do të na e japi ndër shumë informacione të tjera në kohë reale, çdo ditë edhe situatën e mbetjeve. Çdo vend-depozitim do të jetë pjesë e punës së satelitit për të informuar, nuk do kemi nevojë as për inspektorë, as për nga ata që bëjnë si inspektorë dhe shkojnë e bëjë marrëveshje, as për të bredhur nëpër male për të gjetur njërin e tjetrin dhe secili nga ju do ta ketë në tavolinë pamjen, urdhëro ku e ke, që do të na ndihmojë shumë kundër abuzivizmit, edhe për plehrat, edhe për ndërtimet që nuk i shikoni ju, çuditërisht, që nuk i shikojnë ata që duhet t’i shikojnë në territor në radhët e policisë së shtetit dhe që kur arrihet tek identifikimi i tyre, ose kanë mbaruar, ose janë në kat të tretë.

Edhe këto do të jenë në kohë reale në pasqyrë, si dhe shumë informacione të tjera nga territori, që do të bëjnë që të mos kemi më ndërmjetës, të mos kemi më sekserë rrugëve që për të marrë një bakshish këtu e një bakshish atje, mbyllin sytë përpara këtyre krimeve që bëhen në territor, por ama, as sateliti nuk bën dot pastrimin. Nuk bën dot administrimin, nuk bën dot atë që bën vetëm një figurë në territor sipas ligjit e zakonit që është kryetari i bashkisë. Kështu që me këtë mesazh, ju falënderoj për praninë tuaj dhe patjetër që nëse dikush dëshiron, mbasi të mbyllim këtë pjesë, mund të ngrejë çfarëdo shqetësimi me ministren.