"Luftë" për një vend në urban!

Javën e fundit transporti urban në Tiranë po përballet me dyndje njerëzish dhe vonesa të shumta në stacione për shkak të përgjysmimit të flotës nga operatorët. Për faturinot ky 5 ditësh ka qenë i lodhshëm dhe tejet stresues. Një prej tyre thotë se lëvizja e tyre në urbane për shpërndarjen e biletave është bërë e vështirë për shkak se njerëzit detyrohen të qëndrojnë ngjeshur. Trafiku rëndon edhe më shumë vonesat e urbanëve të reduktuar në numër, ndërkohë që rreziku i infektimeve me Covid është rritur.

Një fjalë e urtë popullore thotë fillimi i mbarë gjysma e punës. U bënë 5 ditë sot që  qytetarët që përdorin transportin publik përballen dyndje të madhe njerëzish apo me vonesa të shumta në stacione.

Dhe pyetja e cila e shton akoma më shumë stresin, kryesisht për persona të cilët duan të kapin orën e parë të mësimit dhe personat që duhet të zbatojnë oraret e punëve respektive është: "A thua vallë në autobusin e radhës do të ketë një vend për mua?"

Me 40 lekëshin e biletës në dorë, të gatshëm për të paguar edhe pse nën rrezikun e infektimit nga Covid 19 nga tejmbushja e urbanëve disa nuk mundën dot të futeshin brenda.

Në pesë ditët e operimit të linjave të urbanëve me flotë të përgjysmuar, faturinot kanë pasur rritje të ndjeshme të ngarkesës në punë.

Detyra e tij është shpërndarja e biletave, por i konsiderueshëm ka qënë numri i atyre që s'mund t’i faturonte sepse lëvizja mes njerëzve të ngjeshur me njëri-tjetrin ka qenë e vështirë.

"Ka pas rast që nga dera e mesit kam kaluar te dera e fundit, nga dera e fundit te e para. Kalimi në mes është i pamundur. Bëhen njerëzit kapicë."

Pjesë e punës e stresit bëhen shpesh edhe debatet mes njerëzve që shtyhen ndërsa disa refuzojnë të paguajnë.

"Pse nuk shtoni autobusët, ka arritur puna deri te ofendimet."

Trafiku i bllokuar në Tiranë rëndon edhe më shumë vonesat dhe kërkesa është rikthimi me kapacitet të plotë i urbanëve sa më shpejt.

"Trafiku, vonesë është dhe ajo."

Ministria e Infrastruktures është shprehur se do të nisë  bisedimet me Ministrinë e Financave për ofrimin e një zgjidhje për kërkesat financiare të operatorëve por deri tani nuk ka asnjë veprim konkret.