INSTAT: Në Shqipëri janë regjistruar për pak turistë se në pandemi gjatë shtatorit
Muaji shtator ka shënuar rënie të numrit të shtetasve që vijnë në Shqipëri krahasuar më shtatorin e vitit të kaluar që ishte dhe vit pandemik. INSTAT raporton se gjatë këtij viti janë shënuar rritje të hyrjeve në Shqipëri për qëllime personale, ndërsa ka pasur më pak hyrje-dalje për qëllime biznesi.
Pavarësisht se vijojmë të jemi në një vit pandemik, lëvizja e shtetasve vendas e të huaj në vendin tonë ka qenë prezente edhe pse në numra më të ulët krahasuar me periudhën para pandemisë.
Referuar të dhënave të fundit të INSTAT, gjatë muajit shtator kanë hyrë në Shqipëri 794 mijë shtetas shqiptarë dhe të huaj, rreth 189 mijë më pak në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020, kur vendi sa po hapej nga kufizimet e pandemisë.
Diferenca është shumë më e lartë se në muajt korrik e sidomos në gusht, kur hyrjet e shtetasve të huaj dhe shqiptarë janë më afër niveleve të para krizës.
Ky ndryshim ka ardhur për shkak të hyrjeve të shtetasve nga Kosova, ndërsa vitin e kaluar kishte një përqendrim të tyre në shtator pas lirimit gradual të masave.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave gjatë janar-shtatorit në vend kanë hyrë rreth 4.9 milionë shtetas duke u rritur me 2.3 herë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit që lamë pas.
Rritjen më të madhe të shtetasve që kanë hyrë në Shqipëri në nëntëmujorin e këtij viti e ka pasur Polonia, e ndjekur nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa uljen më të ndjeshme të hyrjeve e ka pasur Greqia.
Ndërkohë, nga të dhënat shihet se gjatë këtij 9 mujori shqiptarët e Kosovës përbëjnë peshën kryesore të hyrjeve në vend, pasuar nga Maqedonia e Veriut dhe Italia.
Sa i përket daljeve të shtetasve jashtë territorit shqiptar vihet re se gjatë muajit të kaluar kanë dalë nga territori shqiptar 961.342 shtetas, 36.1% herë më shumë se një vit më parë, por ende poshtë nivelit të 2019-ës.
Sipas raportit, gjatë këtyre 9 muajve është regjistruar një rritje e hyrjeve të shtetasve të huaj për qëllime personale, pushime apo udhëtime tranzit, ndërsa ulje kanë pësuar hyrjet për qëllime biznesi.
