AKU, 65 mln lekë amnisti, KLSH zbulon skandalin e radhës pas ushqimeve të skaduara

Kontrolli i Lartë i Shtetit zbulon një tjetër skandal të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit faljen e gjobave ndaj biznesit. Nga auditimi rezulton se AKU në shkelje të ligjit ka anuluar ekzekutimin e masave administrative duke krijuar në buxhet një gropë të thellë financiare.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit i ka falur kompanive private rreth 65 milionë lekë gjoba për shkelje ligjore, që duhet t’i kishte vjelë gjatë 3 viteve të fundit.

Kjo është fatura e dëmit në buxhet e zbuluar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Veç skandalit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për tregtimin e produkteve jashtë çdo standardi, shmangia nga ekzekutimi i gjobave është një tjetër problematikë e këtij institucioni.

Sipas raportit, në 21 subjekte, Komisioni i Drejtorisë së Përgjithshme të Autoriteti te Ushqimit ka shfuqizuar tërësisht ose pjesërisht gjobat e vendosura nga inspektorët e Tiranës. Për kryeqytetin gropa në buxhet llogaritet në 31 550 000 lekë.

Nga 21 rastet në total, për 14 janë shfuqizuar gjobat në mungesë të kompetencës ligjore, 2 prej tyre jashtë afatit dhe vlera e tyre arrin 21 350 000 lekë gjithsej.

Kontrolli ka zbuluar se 5 biznesve u janë falur gjobat në mungesë të arsyetimit ligjor nga Komisioni i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.

Ky institucion ka amnistuar edhe bizneset, çështjet e të cilave kanë qenë në procese gjyqësore. Por ka edhe raste kur jane shfuqizuar gjobat që janë lënë në fuqi prej gjykatave.

Dëmi ekonomik i shkaktuar ndaj buxhetit të shtetit prej këtyre rasteve arrin vlerën e 4.7 milionë lekëve.
Gjithashtu, gjatë kontrollit është evidentuar se për 56 subjekte, AKU e Tiranës dhe Drejtoria e Përgjithshme nuk kanë marrë masat për arkëtimin e gjobave dhe shqyrtimin e ankesave brenda afatit ligjor dhe për pasojë dëmi i shkaktuar shkon deri në rreth 30 milionë lekë.

Një tjetër gjetje e Kontrollit te Lartet e Shtetit lidhet me standardin e dyfishtë që aplikon Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ne kryeqytet për vendosjen e gjobave ku për të njëjtën shkelje janë vendosur gjoba me vlera të ndryshme.