Rama bën "pleh" kryebashkiakët. Ultimatumi: I gjithë buxheti për mbetjet. Pastroni ose në SPAK

Kryeministri Edi Rama u ka lënë afat deri në dhjetor bashkive për të shtuar fondet për menaxhimin e mbetjeve. Duke e konsideruar situatën udhëkryq, ai paralajmëroi deri në marrje në administrim prej qeverisë të bashkive dhe padi në prokurori për të zgjedhurit vendorë.

Si shembull për atë që e quajti udhëkryq i menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri, kryeministri Edi Rama nuk mori Vlorën në të cilën pastroi kalçeton në verë.

Por përballë Dritan Lelit, të cilin e kishte në sallën ku mblodhi kryebashkiakët, Edi Rama solli si shembullin më të keq të pastërtisë Himarën.

"Po çohem unë më përpara sesa Jorgopja dhe shikoj mbetjet, zgjoj Jorgon nga gjumi dhe pastaj vjen një dum-dum."

Edhe pse ultimatumi për mirëadministrimin e ujësjellësave nuk funksionoi, Kryeministri u la afat bashkive të parashikojnë shpenzimet në buxhetin e ri, e nëse nuk ka ndryshim, do të ketë dy ndëshkime.

"Do të shkojë deri në marrjen në administrim të bashkisë, e ka ligji. Por nëse do të shkojmë në atë pikë, kryetari i bashkisë bashkë me gjithë të tjerët do të shkojnë të përgjigjen."

Duke deklaruar se nuk do të ketë rëndësi se sa do ti kushtojë ky menaxhim, madje duke shtuar që të gjitha paratë të shkojnë te pastrimi.

"I gjithë buxheti i bashkisë nëse do të duhet të shkojë për pastrimin, do të shkojë për pastrimin." Rama kërkoi që të mos ketë rritje të tarifave për familjarët.

"Se mos të kujtojë njeri që nga çfarë u tha për tarifat ideja është të rruisim tarifat, patjetër por tua rrisni atyre që ndotin më shumë."

Edhe në këtë deklaratë Rama nuk harroi dy satelitët që do të ngrihen në orbitë vitin e ardhshëm. Një prej përfitimeve do të jetë fotografimi i territorit.

"Secili nga ju do të ketë në tavolinë pamjen."

Deklaratat e kryeministrit vijnë në kohën kur opozita ka ngritur akuza të forta për korrupsion me tre inceneratorët, atë të Fierit, Elbasanit e Tiranës. Madje një nga zgjidhjet e ofruara ishte dhe dërgimi i mbetjeve te to.

Pas fotove dhe qëndrimeve të Ramës, Rakip Suli dhe kryebashkiaku i Himarës Jorgo Gore ndanë qëndrime të ndryshme.

Kronika e TV Ora News.