Rama: Te Jorgua, kuajt dhe pushuesit rrinin bashkë në plazh, fotoja e Himarës mori globin

Jorgo Goro, kryetari i bashkisë së Himarës u bë "tabelë qitjeje" në takimin e kryeministrit me krerët e bashkive dhe prefektët në lidhje me mospatrimin e territorit nga mbetjet.

"Në një nga plazhet më të bukura të bashkisë Himarë janë bërë këtë verë fotografi që kanë marrë globin, pushuesi dhe kuajt rrinin bashkë, kope me kuaj. Pushuesit në çadra dhe kuajt rreth e rrotull plehrave. As për të larguar një kope kuajsh nga plazhi ose për ta kthyer në atraksion turistik. I vendoset një gardh.

Si shpjegohet se pasi u jepen plazhet në administrim privatëve, vetmja gjë që bëjnë është vendosin shezlongët, çadrat, vënë dhe tarifat dhe rëra apo zalli tek Jorgua janë të mbushur me letra, bishta cigaresh, qesesh. Pse nuk i pastrojnë? E kuptoj dhe pjesën e ngarkesës që për shkak të bregdetit merr qyteti por që qytetet deri në qendër siç ndodh me Himarën që është bërë destinacion me një fluks të jashtëzakobnshëm njerëzish dhe në darkë në qendër të Himarës duhet të ecësh mes kazanëve të mbushur me plehra, duhet të bashkëjetosh me muzikën në kupë të qiellit dhe erën e plehrave" tha Rama gjatë takimit.

Por duket se Goro i ka marrë pozitivisht kritikat e Ramës.

"Ja vlejnë, do përmirësohemi" tha ai.

Edhe Rakip Suli i Kamzës ishte në qendër të kritikave por duket se fjalët e Ramës i ka marrë siç do vetë.

"E keni dëgjuar gabim."

I vetmi kryebashkiak që doli ballëlartë nga ky takim ishte ai i Lezhës, që u referua si shembull pozitiv nga Rama dhe Ministrja Kumbaro te kryebashkiakët e tjerë.

"Ka akoma shumë për të bërë, jam i kënaqur nga vlerësimi i Kryeministrit. Kemi ankesa për menaxhimin e mbetjeve në rrugët nacionale. S'kam pasur mundësi t'ja them kryeministrit por kemi folur me Ministren e Mjedisit".