Qytetarët sërish para kryeministrisë: Rama mos i ngrejë çmimet duke parë xhepat e tij por xhepat tanë

Çdo qindarkë e rritur në produktet ushqimore rëndon buxhetet e tyre familjare, ndaj edhe të hënën qytetarët e kryeqytetit u grumbulluan për të tretën herë para kryeministrisë.

Pensionistët duket se janë ata që preken edhe më shumë nga shtrenjtimi i çmimeve. Ata thonë se tani konsumojnë më pak.

"Unë marr 140 mijë lekë, a ka ndonjë supermarket për mua, për familjet e varfra. 3 mijë kilja e vajit, 1 kile bukë 2 mijë lekë."

"Me atë buxhet do ta planifikosh që do konsumosh më pak."

"Kryeministri të shikojë të varfrit njëherë, të shikojë popullin dhe mos i ngrejë çmimet duke i parë xhepat e tij, të shikojë xhepat tanë që janë bosh."

Ka ndër ta që marrin edhe borxh për të përballuar jetesën.

"Unë punona 28 vjet në zanatin më të rëndë dhe marr 104 mijë lekë pension. Është e papërballueshme kjo situatë, tani ka arritur puna marrim borxh."

Më të rinjtë e ngritën zërin edhe për fenomene të tjera shqetësuese.

"Jam këtu sepse kam familjarë me aftësi të kufizuar  të cilët varen nga ndihma ekonomike e cila është 100 mijë lekë. Me këtë ndihmë ekonomike duhet të përballojnë ujin, dritat, jetesë, të gjithë jetën e tyre."

"Nuk mund të ecë ky shtet pa minimumin jetik. Ne nuk e dimë sa i duhet një individi për të mbajtur frymën gjallë. Kjo është katastrofë. Më gjej  një shtet që nuk ka minimumin jetik, e kemi dhe në Afrikë këtë gjë."

"Ne duam drejtësi, ulni taksat!"

Nga qeveria kërkuan reagim dhe ulje të çmimeve të produkteve bazë dhe të karburanteve.

"Ne jemi vend prodhues i naftës dhe naftën e paguajmë shumë shtrenjtë, ne jemi vend prodhues i gazit dhe gazin e paguajmë shumë shtrenjtë, jemi vend prodhues i energjisë elektrike dhe e paguajmë shtrenjtë."

Ata që u mblodhën para Kryeministrisë kërkuan edhe mbështetjen e qytetarëve të tjerë, të cilëve iu bënë thirrje të bashkohen në protestë.

"Reagoni, zgjohuni nga gjumi letargjik dhe reagoni!"

Qytetarët thanë së do t`i vijojnë protestat deri në plotësimin e kërkesave të tyre.