Basha në mbledhjen e PD: Berisha ka në plan të bunkerizojë partinë, s’do të ketë asnjë votim në forume
Kryedemokrati Lulzim Basha në mbledhjen e Grupit Parlamentar, për herë të parë është shprehur se plani i ish-Kryeministrit Sali Berisha, është shndërrimi i Partisë Demokratike në një bunker antiamerikan për interesin e tij.
Më tej, Basha ka thënë se nuk do të lejojë asnjë votim në forumet e PD që bie ndesh me interesat amerikanë.
Lulzim Basha: Unë e refuzoj arenën ku më ftojnë spekulimet dhe shpifjet e ricikluara të listës tëtevjeçare apo gjashtëmbëdhjetëvjeçare të kundërshtarëve të mi politikë në partinë socialiste, që sot i recitojnë të zemëruarit dhe të keqkuptuarit me vendimin tim për largimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD-së me kërkesën e SHBA për shkak të shpalljes së tij non gratta prej tyre.
Dua të përsëris sot se sa të jem unë kryetar i PD-së nuk do të pranoj të hedh në votim në asnjë forum të partisë demokratike vendime të qeverisë dhe institucioneve amerikane kundër deputetëve a të zgjedhurve të kësaj partie. Edhe sikur të jem unë i godituri i këtyre vendimeve.
Ai thotë se nuk do të lejojë dhe as të pranojë asnjë akt që çojnë në izolimin e Partisë Demokratike nga SHBA.
Lulzim Basha: Nuk do të pranoj e lejoj akte që çojnë në izolimin e Partisë Demokratike nga aleati ynë strategjik dhe mirëbërësi më i madh në histori i Shqipërisë, Kosovës dhe kombit shqiptar, që janë SHBA. Izolimi nga SHBA është vdekja e Partisë Demokratike.
Kryedemokrati ka vlerësuar kontributin e Sali Berishës, ndërsa shton se ky i fundit po përpiqet të lidhë vendimin e qeverisë amerikane me shpalljen e tij non grata, me fatin e Partisë Demokraktike.
Lulzim Basha: Kam shprehur disa herë dhe shpreh përsëri keqardhjen time për shpalljen non gratta të Sali Berishës. Kam mbështetur e mbështes përpjekjet e tij për trasparencë e drejtësi.
Për fat te keq ai po kërkon ta lidhë shpalljen e tij non gratta me fatin e Partisë Demokratike. Në një anë ai po thotë nuk do të votojmë vendimin e qeverise amerikane për shpalljen e tij non gratta. Nga ana tjetër po kërkon të votojë vendimin e Lulzim Bashës që është marrë në respekt të vendimit të SHBA. A nuk nuk është e njëjta gjë në aspektin e pasojave politike për PD. Përtej tymnajave, plani i tij, nëse do të flitej për një plan, është shndërrimi i Partisë Demokratike në një bunker antiamerikan për interesin e tij.
Kjo është pa asnjë perspektivë qoftë për PD, qoftë për vetë Berishën. Dhe askush me një fije përgjegjësie ndaj sakrificës së demokratëve, duke nisur nga unë i pari nuk mund dhe nuk do ta pranojmë këtë.
