"Më ndjekin prej ditësh", parandalohet ngjarja kriminale në Shkodër, arrestohet autori i dyshuar
Policia e Shkodrës ka vënë në pranga një person dhe ka arrestuar dy të tjerë duke bërë të mundur parandalimin e një ngjarjeje të mundshme kriminale.
Sipas bluve të Shkodrës, shtetasi A.T, 45 vjeç, banues në Mjedë Shkodër , ka kërkuar ndihmën e Policisë pasi dyshonte se prej disa ditësh po e ndiqnin disa persona të panjohur nga ana e tij, të cilët lëviznin me një automjet tip “Golf”.
Policia ka organizuar punën dhe ka bërë të mundur lokalizimin dhe bllokimin e automjetit të dyshuar, në fshatin Mjedë.
Gjatë kontrollit ka rezuluar se në këtë automjet qarkullonin tre shtetas dhe në brendësi të automjetit Policia gjeti dhe sekuestroi tre shkopinj bejsbolli dhe një bidon me 5 litra benzinë.
Gjithashtu në banesën e njërit prej këtyre shtetasve konkretisht, të shtetasit Florjan Vasija, banues në Dajç Lezhë, policia gjeti dy armë zjarri gjysmë automatik dhe 821 copë fishekë luftarak.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Florjan Vasija i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” .
Gjithashtu, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë dy shtetasit e tjerë Z. V banues në Lezhë dhe E. D, banues në Tiranë, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Vijon puna hetimore për zbardhjen edhe dokumentimin e plotë të këtij rasti.
Materialet proceduriale do ti referohen Prokurorisë Pranë Gjykates së Shkalles së Parë Shkodër për veprime të mëtejshme./OraNews/
