Shkarkimi i Presidentit Meta, Së shpejti përballja në Gjykatë Kushtetuese
Më shumë se 4 muaj nga votimi në parlament dhe një ditë pas vendimit të Komisionit të Venecias, Gjykata Kushtetuese pranon të kalojë për shqyrtim në senacë plenare publike këtë vendim.
Në një njoftim për shtyp mësohet se gjykata ka marrë këtë vendim në përfundim të shqyrtimit paraprak të kësaj çështjeje.
Gjykata sqaron se e ka marrë në shqyrtim paraprak këtë çështje dhe se veprimtaria e gjykatës ka qënë e pezulluar për 40 ditë për shkak të lejeve të gjyqtarëve.
"Gjykata e ka marrë në shqyrtim paraprak këtë çështje në përputhje me afatet procedurale të parashikuara në ligjin e saj organik dhe në Rregulloren e Brendshme, ndërkohë që veprimtaria e saj për shqyrtimin e të gjitha çështjeve ka qenë e pezulluar për periudhën 1 gusht 2021 deri në 10 shtator 2021, e cila përkon me lejen vjetore të gjyqtarëve, në bazë të nenit 18, pika 1, shkronja “b”, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.
Pritet të caktohet data e seancës.
Në përfundim të shqyrtimit paraprak të kësaj çështjeje, bazuar në nenin 62 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, Gjykata vendosi: “Kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike”, data e së cilës do të caktohet në përputhje me rregullat procedurale të gjykimit kushtetues" thuhet në njoftimin për median.
Më 9 qershor 2021, Kuvendi miratoi me 104 vota pro shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit të Republikës. Ndërkohë kundër shkarkimit të tij, votuan 7 deputë dhe 3 abstenim. Pro votuan dhe deputetë të opozitës por dhe ata që nuk do të jenë më në parlament në shtator.
Ndërkohë më 14 qershor 2021, Kuvendi dorëzoi kërkesen në Kushtetuese.