Të verbrit dalin në protestë: Kërkojmë infrastrukturë të posaçme, na janë mohuar shumë te drejta

Dita Ndërkomëtare e Shkopit të bardhë, i gjeti të verbërit sërish me kërkesa bazike ende të paplotësuara.

Neglizhenca  e institucioneve përgjegjëse bëri që shoqata e të verbërve të organizonte marshime protestë në disa qytete të vendit.  

Kryetari i degës së Tiranës të Shoqatës së të verbërve Leonard Agalliu shprehu indinjatën për këtë shtresë e cila nuk merr asnjëherë vëmendjen e pushtetit lokal dhe qëndror në lidhje me integrimin e tyre në shoqëri.

"Kjo është një ditë ku ne kërkojmë infrastrukturë të posaçme  për personat e verbër. Kërkojmë akses në informacion, për punësimin e personave të verbër si dhe shumë gjëra të tjera që janë të mohuara nga pushteti lokal dhe qendror."

Një tjetër shqetësim për ta ishte edhe rritja e çmimeve të shportës pa harruar edhe sinjalistikën rrugore e cila nuk përmban asnjë shenjë ndihmuese për këtë shtresë.

"Duke parë ngritjen e çmimeve të shportës dhe mos ngritja e pagës së verbërisë, kjo është diçka shqetësuese për personat e verbër. Siç e shikoni dhe vetë në rrugët e Tiranës nuk ka asnjë lloj përmirësimi, si në rrugët kryesore ashtu dhe në ato dytësore."

Marshimi i së premtes u nis nga Pallati i kongreseve për t’u ndalur përballë Bashkisë së Tiranës. Në kuadër të Ditës së shkopit të bardhë, një Protestë u zhvillua edhe në Durres nga shoqata e të verbërve.

/Ora News/