Brenda këtij viti pagat e policëve për orët shtesë

Vendimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano për pagesën e orëve të punës shtesë, duket se është zgjidhje e një problematike të hershme por edhe plotësim i një kërkese të sindikatës së Punonjësve të policisë.

Pak ditë pas marrjes së detyrës, kryepolici Gledis Nano u ka komunikuar 12 drejtorive vendore që të përgatisin listën e punonjësve të policisë të cilët nuk kanë marrë pagesën për orët e punës jashtë orarit.

Mësohet se deri tani 4 nga 12 drejtori kanë dorëzuar në zyrën qendrore të Financës emrat e efektivëve të cilët pritet të konmpensohen brenda këtij viti. Për kreun e sindikatës së punonjësve të policisë tashmë punonjësit do të jënë më të motivuar për punën e tyre.

Sadedin Fishta: "Kur njeh problematikat që kanë këto punonjës, drejtori i policisë ka dhe mbështetjen edhe të vartësve e trupës policore por dhe sindikatës"

Pas vendimit të fundit të kreut të policisë, një tjetër kërkesë po përgatitet nga sindikata për Drejtorin e Përgjithshëm dhe Ministrin e Brendshëm.

Sadedin Fishta: Do paraqesim kontratën kolektive. Ne kemi një kontratë në fuqi por kjo ka kryer funksionin e vet, e sot ka ardhur koha që me ndryshimin e legjislacionit punonjësit e policisë duhet të kenë kontratë të re.

Pagesa për orët shtesë do të mbulohet nga fondet e policisë por edhe nga paratë e konfiskuara gjatë operacioneve kundër krimit.