Mbetjet “mbytin” Elbasanin, autoritetet: Nuk kemi mjete për t’i hequr çdo ditë
Elbasani po përballet me një situatë problematike lidhur me trajtimin e mbetjeve të cilat janë prezent kudo në hapësirat publike.
Qytetarët fajësojnë bashkinë për mosveprim ndërkohë që zyrtarët lokalë thonë se nuk kanë kapacitetet e duhura për pastrimin e qytetit çdo ditë.
Mbeturinat po kthehen në një problem për Elbasanin pasi mund të shihen në të gjithë qytetin dhe koshat janë të pa pastruar.
Qytetarët shprehen të shqetësuar për këtë situatë.
“Në qendër të qytetit është bërë shumë keq. Imazh shumë i keq për qytetin."
Ata thonë se Bashkia nuk po bën punët për të cilat mbledh taksa.
“Mbeturiinat na shqetësojnë. Nuk e di nëse kanë marrë vendim për të mos i pastruar. Pse nuk i merr taksat Bashkia?”
Problemin e pranojnë edhe zyrtarët lokalë ku sipas tyre mjetet që kanë në dispozicion nuk ua mundësojnë pastrimin e qytetit çdo ditë.
“E dimë që është një problem. Jemi në luftë me kohën dhe forcat tona në mjete e punëtorë. Është një fenomen që po shtohet. Situata nuk është jashtë kontrollit.”
Edhe pse Elbasani ka incenerator për përpunimin e mbetjeve kjo nuk po e zgjidh problemin e mbeturinave që janë prezente në hapësirat publike.
