Lirohet nga qelia babai i Arbër Çekajt, Apeli i ndryshon masën e sigurisë
Lirohet nga qelia Selim Çekaj, babai i Arbër Çekajt. Vendimi u mor sot nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar.
Kjo gjykatë vendosi të ndryshojë vendimin e Gjykatës së Posaçme të shkallës së parë duke ndryshuar masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”
72 vjeçari Çekaj u arrestua më 1 prill 2021 pasi u sekuestruan 49 kg kokainë në kontenierin me banane të ardhur nga Ekuadori për llogari të një firme me qendër në Maminas, me administrator Selim Çelajn.
Pas arrestimit Çekaj hodhi poshtë akuzën dhe dy herë kërkoi lirimin në gjykatë për shkak të gjëndjes shëndetësore, por kjo nuk ishte pranuar nga gjykata deri sot.
I moshuari qëndronte në spitalin e burgut për shkak të gjëndjes shëndetësore. Sot në seancë gjykata nuk dha argumentin por vetëm komunikoi vendimin e formës së prerë.
Ai është babai i Arbër Çekaj i arrestuar dhe dënuar me 14 vite burg për trafikimin e 613 kilogramëve kokainë të fshehura në banane. Arbër Çekaj pak kohë më parë tentoi të arratiset nga qelia e burgut 313 por arriti të parandalohej nga policia.