Çela paralajmëron masa drastike: Harta e re gjyqësore urgjente, rigrupim prokurorive, do të amortizohen vakancat

Për prokurorin e përgjithshëm te vendit Olsian Çela ka një urgjencë lidhur me ndërmarrjen e një harte të re gjyqësore.

Ai tha se  do të merren masa drastike në sistem, ku theksoi se në një plan afatmesëm do arrihet të amortizohen vakancat e shumta.

Çela shtoi se do të ketë një rigrupim të prokurorive që do të krijojë një shpërndarje më të drejtë të punës mes prokurorëve, si dhe një ngarkesë të përballueshme.

Çela: Ne patëm një takim dje. Ka qenë një shqetësim që e kam paraqitur dhe në takimet e tjera, urgjencën e ndërmarrjes së një harte të re gjyqësore. Mendojmë se në një plan afatmesëm do arrijë të amortizojë vakancat e shumta në sistem. Kjo do të thotë se ne duhet të marrim masa drastike. Kjo masë nuk do të jetë e vetme. Do të merren masa edhe sa i përket funksionimit të shkollës së magjistraturës. Rigrupimi i prokurorive mendojmë se do të krijojë një shpërndarje më të drejtë të punës mes prokurorëve, si dhe një ngarkesë të përballueshme. Por prurjet e reja janë çelësi i zgjidhjes. Ne kemi kërkuar nga ILD deri tani inspektimin e 6 prokurorëve. Di që ka nisur procedimi për disa nga rastet.

Deklaratat prokurori i përgjithshëm Olsian Çela i bëri pas mbledhjes së përgjithshme të prokurorëve për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, të zhvilluar në mjediset e “Polit të Drejtësisë”.