Ishin nën hetim për falsifikimin e pronave, pezullohen 2 punonjësit e ndaluar, dyshohet për inskenim për të fshirë gjurmët
Kur Bardhyl Gjika, drejtor i Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Vlorë, doli para mediave për të sqaruar vjedhjen e dy dosjeve në institucion, rezulton se ai tentoi të mbulojë abuzime ku ishte i përfshirë vetë.
Zyrtari, 60-vjeçar u vu në pranga këtë të premte nga Policia e Vlorës me dyshimin e falsifikimit të dokumenteve për tjetërsimin e pronave në bregdet.
Bashkë me të u arrestuan edhe vartësi Kreshnik Mino, 37 vjeç dhe përfituesi Spiro Duni.
Ata dyshohen se në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë falsifikuar formularët e AMTP dhe Formularin nr. 6 për regjistrimin e një pasurie, në fshatin Dhërmi, pronë e që ka përfituar 51-vjeçari Duni, banues në Himarë.
Procedurat ishin denoncuar nga një qytetar në prokurorinë e Vlorës që në kuadër të hetimit kishte kërkuar dosjen në Drejtorinë e Administrimit dhe Mbrojtjes së tokës.
Bardhyl Gjika, Kreshnik Mino, dhe Spiro Duni, e kanë kuptuar se hetimi do të zbulonte abuzimin ku ishin të përfshirë, ndaj ata dyshohet se organizuan vjedhjen me thyerje të dokumenteve origjinale.
Dyshimi se vjedhja ishte e projektuar nga brenda institucionit u ngrit që në fillim, pasi autori e dinte mirë se ku ruhej dosja dhe shkoi direkt në zyrën përkatëse për ta marrë.
Për momentin e paqartë mbeten fakti nëse ishte një nga tre të arrestuarit ai që u hyri në institucionin e këshillit të qarkut apo ata përdorën dikë tjetër.
Vlora është një prej zonave më të prekura nga fenomeni I tjetërsimit të tokave kryesisht në zonat bregdetare.
Në vazhdimësi Kadastra atje ka qenë në qendër të vëmendjes për skandale në regjistrimin apo tjetërsimin e pronave.

