Rindërtimi, ku shkuan 205 milionë euro? KLSH: Nuk ka dokumente si u përdorën
Për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit janë shpenzuar miliona euro, por KLSH zbulon se për një pjesë të shpenzimeve nuk ka informacion të qartë.
Në raportin e fundit thuhet se për shpenzimin e 205 milionë eurove, 76 milionë dollarëve dhe 17 milionë lekëve të siguruara në Konferencën e Donatorëve për tërmetin e 26 nëntorit 2019, nuk ka dokumente të qarta se ku dhe si janë përdorur.

Duke saktësuar se përgjegjësia në këtë fushë i shkon Ministrit të Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj, në auditim thuhet se vëzhgimi është kryer për periudhën janar 2020 deri në 30 prill të këtij viti.
Madje informacionet mbi mënyrën e përdorimit të çdo donacioni apo mbështetje të ofruar nga organizatat shtetërore, kombëtare e ndërkombëtarë dhe personalitetet janë gjysmake.
Shkelje janë zbuluar dhe mbi dokumentacionin për burimet materiale dhe njerëzore që disponojnë institucionet për procesin e rindërtimit dhe mënyrën e përdorimit të tyre.
"Sa i përket projekteve të miratuara, ekspertët nuk kanë gjetur akt ekspertizë të thelluar apo projekt preventiv punimesh. Kështu, qeveria ka miratuar ndërtimin e Urës së Tapizës me vlerë 151 milionë lekë pa TVSH pa pasur një document të tillë. Ndërsa, Qendra e Shërbimit dhe Administrimit të Mjeteve të Transportit është miratuar në mungesë të preventivit të punimeve duke shmangur kështu justifikimin e vlerës së kërkuar për financim, i cili arrin deri në 275 milionë lekë" thuhet në raportin e KLSH-së.
Në dokument thuhet gjithashtu se procesi i rindërtimit po zhvillohet pa një program të përgjithshëm të miratuar nga qeveria.
Ndër të tjera në raport thuhet se familjarëve të viktimave dhe personave të pastrehë nuk u është ofruar trajtimi i duhur nga institucionet përgjegjëse.
