Opozita denoncoi ministrat për uniformat e policisë, SPAK çon në gjyq ish-drejtoreshën dhe 7 ish-zyrtarë
SPAK dërgoi në gjykatë tetë ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme të akuzuar për abuzimet me tenderin prej 2.8 miliardë lekësh për blerjen e uniformave të policisë së shtetit. Pavarësisht se në denoncimin e opozitës përfshiheshin edhe dy ish-ministra të brendshëm, prokuroria ka vënë nën akuzë ish-Drejtoreshën e Blerjeve dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të cilët akuzohen se kanë favorizuar fituesin.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar në gjyq dosjen ndaj tetë ish-zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme të akuzuar për “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera”, në lidhje me pajisjen e policisë së shtetit me uniformën e re.
Burimet nga SPAK, bëjnë të ditur se me datë 11 maj 2020 në Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme është zhvilluar procedura e prokurimit për llogari të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me objekt “Blerje dhe shpërndarje e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit”, për 4 vjet, me fond limit 2.8 miliardë lekë.
Sipas SPAK, nga hetimi kanë rezultuar veprime të kundërligjshme të bëra nga titullari i Organit Qëndror Blerës, konkretisht nga Edlira Naqellari, që mbante detyrën idrejtoreshë e Blerjeve të Përqëndruara në Ministrinë e Brendshme. Prokuroria pretendon se bashkëpunëtorë në këtë çështje ka qenë edhe flutura Çekrezi, zyrtare pranë Agjencisë së Blerjeve të Përqëndruara.
Personat e tjerë të akuzuar janë anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali, Kreshnik Bejkaj, Ani Omuri, Gëzim Mingaj dhe Anisa Bogdani.
Tetë personat akuzohen se në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, kanë favorizuar bashkimin e subjekteve juridike të shpallura fituese në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, duke sjellë si pasojë cënimin e lirisë së pjesëmarrësve në tendera dhe krijimin e avantazheve të padrejta për palët e treta.
Personat e pandehur akuzohen se kanë avantazhuar kompaninë fituese të tenderit “D&E SHPK” ndërkohë që denoncimi për këtë çështje është bërë nga grupi parlamentar demokrat i opozitës parlamentare të legjislaturës së kaluar.
Në padi për tenderin e uniformave të policisë akuzoheshin 2 ministra, 4 zyrtarë përgjegjës për tenderët publikë dhe 2 kompani private, ndërkohë që SPAK ka vendosur nën akuzë vetëm tetë funksionarët që kanë pasur lidhje direkte me procedurën me fond rreth 2.8 miliardë euro për uniformën e re të punonjësve të policisë.
