Pse nuk privatizohet KESH? Shehu: Është serbatori më i madh për të nxjerrë para, vota dhe shefa politikë

Deputeti demokrat, Dashamir Shehu, thotë se qeveria Rama nuk ka bërë asnjë investim në sektorin energjitik gjatë këtyre 9 viteve.

Edhe një iniciativë e dështuar e qeverisë së shkuar për privatizimin e KESH, Shehu thotë se nuk u mor më.

Arsyen ai e shpjegoi për emisionin "Srejt" Në Rtv Ora.

Shehu: Kriza ka dy momente. Një që është shtrati i krizës, nga buron, shtrati i ka rrënjët pak më thellë në vite, dhe është momenti në të cilën derdhet kriza që është momenti aktual.Shumë veta që jemi marrë me këtë punë kemi thënë që ka filluar që më përpara, në Europë sigurisht. Nuk kam menduar që Shqipëria do ta përkthyejë në mënyrë kaq negative në Shqipëri. Kush e ka ndërtuar si shtrat këtë krizë? Që kur ka ardhur kjo qeveri nuk kemi asnjë investim në fushën e energjitikës. Qeveria e vjetër kishte diçka, u bë kaskada e Devollit, u futën në treg një sërë projektesh të Hidrocentraleve të vegjël dhe të mesëm. A qe e gjitha transparente dhe në raport pozitiv me ambjentin? Mundet që jo por ishte një kontribut në energjinë shqiptare. Në 9 vitet e fundit nuk kemi asgjë të re. Është mbrapa në gjithë projektet. Jemi kthyer te skema e vjetër e ndërmarrjes shtetërore e mbushur me militantë, me drejtorë militantë, me shefa që ndajnë paratë. Dhe një tentativë që u bë nga qeveria e vjetër, fatkeqësisht e dështuar, për ta privatizuar KESH, nuk ka asnjë kurajo për ta privatizuar prapë. Pse? Është serbatori më i madh për të nxjerrë para, vota dhe shefa politikë. Nuk ka ndërmarrje në Shqipëri që ka prodhuar kaq shumë deputetë sa KESH-i, deputetë dhe disa kryetarë partie. Kush qarkullon përreth KESH-it sigurisht bëhet i rëndësishëm. Ky është shtrati mbi të cilin është ndërtuar kriza e sotme.

Ndërsa qeveria ka planifikuar 200 mln euro garanci shtetërore në mbështetje të OSHEE nga kjo periudhë deri në pranverën e vitit të ardhshëm, Shehu thotë se faza e parë mund të shkojë dhe 300 mln euro.

Shehu: Para një jave u bë një akt normativ, ju shtuan 120 mln euro të tjera borxhit shqiptar, ne i marrim borxh vetes. Gjithë bota i merr Brukselit, Bankës Europiane, Bankës Botërore, bankave private, ne i marrim këtu buxhetit të shtetit. Si për dreq, nuk kishte dalë akoma Rama, doja ti thoja: Po të ngrihen këtë çmimet ku do ti gjeni këto 100 mln euro? Doli që na duhen 100 milion euro deri këtu.  Duhen dhe 100 milion për pranverën tjetër. Kjo do shkojë 300 milion euro, minimalisht faza e parë emergjencës, të gjitha do ti shtohen borxhit publik dhe pastaj do t'u bien në kurriz qytetarëve.