Agalliu: Në Shqipëri goditen bizneset e ndershme dhe mbështeten abuzuesit, asnjë masë nga qeveria
Deputeti i Partise Demokratike Arbi Agalliu, shprehet se qeveria nuk ka ndërmarrë masa të tilla të cilat ulin presionin mbi tregjet.
I ftuar në emisionin "Drejt" në RTV Ora, Agalliu u shpreh se ekonomia shqiptare është goditur rëndë nga pandemia dhe tërmeti, ndërkohë që qeveria nuk u ka dhënë asnjë paketë ndihme për bizneset.
Arbi Agalliu: Ekonomia shqiptare është një ekonomi e brishtë sidomos këto dy goditjeve të fundit, tërmeti apo pandemia. Në këtë kontekst edhe sikur të gjitha aktet që ka ndërmarrë apo do marrë kjo qeveri të ishin më të mirat të mundshme ne kemi marrë një goditje që ka qenë shumë e vështirë për t’u menaxhuar. Dimë se si janë përdoret fondet e rindërtimit. U paguan patronazhistët. Në këtë kontekst qeveria nuk ka ndërmarrë akte të tilla të cilat ulin presionin mbi tregjet. I besoj faktit se tregu vetrregullohet.
Agalliu thotë se në vendin tonë goditen bizneset e ndershme dhe mbështeten abuzuesit.
Arbi Agalliu: Goditen bizneset e ndershme dhe ju jepet dora abuzuesve. Nuk është marrë asnjë masë gjatë pandemisë që i jep frymëmarrje biznesit. Në Shqipëri përveçse nuk u dha ndihma por nuk u ul asnjë cent nga detyrimet fiskale që bizneset paguan pavarësisht se punonin në orar të kufizuar.
