Basha pret në zyrë Ministren britanike: Shqiptarët atje duam ti shohim me letra, të jetojnë e punojnë me nder
Ministrja e Mbretërisë së Bashkuar për Europën dhe Amerikat, Wendy Morton, zhvilloi sot një takim në selinë blu me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Ajo shoqërohej nga ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith.
Pas takimit, Basha zbardhi diskutimet që pati me Ministren.
Lulzim Basha: Takimi ishte një mundësi e dyfishtë, së pari tregon interesin e lartë britanik për Shqipërinë, para disa javësh ka qenë dhe ministrja e Brendshme, dhe në veçanti për çështjet që janë kauzat kryesore të PD dhe qytetarëve dhe që janë çështjet e demokracisë, të bashkëpunimit të krimit të organizuar me politikën për të vjedhur zgjedhjet siç ndodhi me 25 prill, të luftës ndaj krimit të organizuar, të lirisë së medias në veçanti si një nga problemet kryesore të demokracisë shqiptare.
Pa diskutim dhe të ardhmes së marrëdhënieve shqiptaro-britanike me një vëmendje të veçantë për dy çështje kryesoire: Praninë e investimeve britanike në Shqipëri dhe fatin e qindra e mijëra shqiptarëve që jetojnë kudo në Britaninë e Madhe, jo vetëm në Londër. Njerëz të punës dhe sakrificave, interesi më i mirë i të cilëve është dhe mbetet në qendër të PD, qofshin këta nga Tropoja, Kukësi, Burreli, Fieri, Vlora.Kemi qindra e mijëra shqiparë që jetojnë në Britaninë e Madhe, duam ti shohim me letra të rregullta, duam ti shohim të jetojnë e punojnë me nder, duam ti shohim të panjollosur nga një pakicë e përfshirë në krimin e organizuar.
Po kështu gjatë takimit kokë më kokë, Basha tha se folën edhe për thellimin e bashkëpunimit mes PD dhe Partisë Konservatore.
Lulzim Basha: Partia Demokratike dhe ajo Konservatore gjatë katër viteve të fundit kanë ndërtuar një marrëdhënie shumë të ngushtë bashkëpunimi. Në bisedën mes delegacioneve jemi fokusuar te prioritetet tona të përbashkëta, në veçanti lufta ndaj krimit të organizuar dhe lidhjes së politikës me krimin. Qeveria britanike dhe PD ndajnë një prioritet të rëndësishëm, prerja e lidhjes së politikës me krimin. Janë këto lidhje një nga arsye kryesore të masakrës zgjedhore. Jam shumë i inkurajuar nga biseda me të. Në një takim të veçantë kokë më kokë me Ministren folëm për bashëpunimin më të mirë mes PD dhe Partisë Konservatore.
Ndërsa ministrja e Mbretërisë së Bashkuar për Europën dhe Amerikat, Wendy Morton, përmes twitterit foli për një diskutim të frytshëm me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha mbi situatën aktuale politike në Shqipëri.
Ministrja britanike nënvizon se partitë opozitare mund të kenë rol të rëndësishëm në Parlament për të forcuar demokracinë dhe për të garantuar se zërat e të gjithë qytetarëve janë të përfaqësuara.
Një ditë më parë Wendy Morton pati një takim me homologen shqiptare Olta Xhaçka.
Kjo e fundit bëri me dije se vitin e ardhshëm do të ngrihet Këshilli i Partneritetit dhe Bashkëpunimit Tregtar mes dy vendeve.
Ndërsa ministrja Morton konfirmoi se Britania është një aleate dhe mike e fortë si për Shqipërinë ashtu dhe për Ballkanin Perëndimor.



