“Shtëpitë e barit në Angli të drejtuara nga shqiptarët janë problem", ambasadori britanik: Ia kam thënë edhe Ramës
Ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith deklaroi gjatë një interviste se “shtëpitë e barit” në Angli, të cilat drejtohen nga shqiptarët , janë një fenomen shqetësues.
Ambasadori u shpreh se ka biseduar direkt me kryeministrin Edi Rama lidhur me këtë fenomen, pasi është një çështje që duhet adresuar. . Ai shprehu shqetësimin e kalimit të të rinjve nga Shqipëria në Angli në mënyrë të paligjshme dhe gjithashtu shtoi se është e rëndësishme të punohet për parandalimin e kësaj.
"Kjo është shumë e rëndësishme për t’u diskutuar. Kjo është diçka që e kam diskutuar me Kryeministrin këtë javë. Sigurisht që ka të rinj që kapen në rrjetet kriminale dhe paguajnë një sasi të jashtëzakonshme parash për të kaluar ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar. Shpesh ata kalojnë udhëtime shumë të vështira për të mbërritur atje dhe ne duhet të shohim se pse kjo ndodh, si mund ta parandalojmë dhe gjithashtu se si mund t'i mbështesim këta të rinj kur ata kthehen, që të kenë mundësi të mira ekonomike këtu, në mënyrë që ata mos ta ndiejnë si nevojë ta bëjnë përsëri atë udhëtim.
Kështu kjo është diçka që qeveritë duhet ta konsiderojnë së bashku, por do të ketë nevojë që gjithë shoqëria të punojë së bashku për të garantuar se do të ketë progres. Dhe dua të theksoj se çfarë kjo ndodhi shkakton është shkatërrim real i familjeve, atyre në Britani të cilat tërhiqen në këto rrjete përmes përfshirjes së fëmijëve të tyre në rrjete droge, familjeve të reja këtu, të rinjve të familjeve këtu që ndikohen nga këto punë, gjë që nuk duhet të vazhdojë më dhe për të cilën ne duhet të punojmë si shoqëri jo vetëm si qeveri, për të parë se çfarë mund të bëjmë për këtë çështje”, tha ambasadori.
Ambasadori la të kuptohet se Britania e Madhe do të financojë në Shqipëri një burg, në të cilin do të mbyllen të gjithë të burgosurit që do të dëbohen nga Britania e Madhe.
“Kam pasur nderin të flas me Ministren tuaj të drejtësisë dhe të konsiderojmë se si të ndërtojmë dhe mbështesim sistemin e drejtësisë në vend. Nuk është vetëm për burgjet, por për të gjithë sistemin e drejtësisë, por sigurisht burgjet janë një pjesë shumë e rëndësishme e kësaj dhe MB do të shikojë se si mund ta mbështesë Shqipërinë për të zhvilluar një bashkëpunim efektiv,” tha ambasadori.
