Cukali për Ramën: Të vinte turp, një kryeministër i veshur bukur por i prapambetur në mendime

Partnerët e Reagimit të Shpejtë të Lirisë së Medies shprehin shqetësim serioz për një Agjenci të re të Medias dhe Informacionit të krijuar nga qeveria e Kryeministrit Edi Rama në Shqipëri.

Ata i kërkojnë Partisë Socialiste në pushtet që të anulojë menjëherë themelimin e saj për të siguruar që nuk do të të përdoret për të forcuar më tej kontrollin mbi rrjedhën e informacionit publik.

Koloreto Cukali nga Këshilli i medies i ftuar në RTV Ora me gazetaren Beti Njuma e cilëson krijimin e kësaj Agjencie një filtër të shtuar për të vështirësuar marrjen e informacionit nga ana e gazetarëve. Sipas Cukalit, ekziston një ligj i cili i detyron organizmat shtetërorë të jenë transparentë dhe krijimi i kësaj Agjencie e cilësuar ministri nuk e lejon këtë transparencë.

Cukali: "Nuk do thoja që i vë gazetarët nën kontroll. Ky vendim ka disa probleme. Shtohet një filtër tjetër sepse është shumë e vështirë të marrësh informacion që ata janë të detyruar me ligj ta japin. Shteti, ministritë, gjithë organizmat shtetërorë janë të detyruar të jenë transparentë, ata i stërmundojnë gazetarët duke mos qenë transparentë. Tani shtohet dhe një filtër tjetër që është kjo agjenci që në fakt është minsitri sepse drejtuesi i saj është në nivel ministri."

Më tej Cukali shtoi se ekzistojnë grupe të cilat punojnë në mënyrë ilegale dhe kontrollojnë e monitorojnë opinionin publik. Me krimin e kësaj Agjencie këto grupe do formalizohen dhe do e bëjnë më kollaj punën e tyre.

Cukali: "Në një vend si Shqipëria kërkojnë të centralizojnë dhënien e informacionit. Gjëja tjetër janë hapësirat që i janë lënë kësaj agjencie për të ngritur staf të papërcaktuar që mund të jenë dhe 100 persona. E dyta një detyrë që ka kjo ministri për të monitoruar opinionin publik. Kjo është ajo që aktualisht ndodh por janë grupe që punojnë në mënyrë ilegale dhe kontrollojnë "kush tha",  "çfarë tha" dhe organizojnë sulme të përbashkëta kibernetike për të goditur një gazetar, për të shpifur për një gjë. Të gjithë këta njerëz do formalizohen dhe tani do e kenë shumë kollaj se do jenë punonjës të ministrisë. Kjo është shumë shqetësuese dhe lë pafund hapësirë për abuzim."

Referuar fjalës së Ramës gjatë konferencës së sotme, Cukali tha se "është e turpshme të shohësh një kryeministër të prapambetur në ato që thotë."

Cukali: "Kryeministri foli në mënyrë të paturpshme në një konferencë gazetarësh ku diskutoheshin problemet e gazetarëve, hallet që kanë ata në gjithë rajonin duke u përballur me gazetari autoritare shkoi dhe goditi gazetarinë dhe turpin ja la OSBE-së. Të vinte turp kur sheh një kryeministër që ngjan i veshur bukur por është aq i prapambetur në atë që thotë. Një njeri që është i prapambetur në ide, një njeri që nuk kupton ç'ndodh sot, një njeri që sado mund ta veshë frazën bukur brenda është bosh. Ai nuk arrin të dallojë brenda kokës së tij dallimin mes medies online dhe rrjeteve sociale. Nuk kisha parë një burrë që të jetë aq i prapambetur në ide. Një kryeministër evropian, në një konferencë gazetarësh që citon Donald Trump. Ai doli realisht aty ku është te Trump që ka qenë lideri, armiku numër një i medieve dhe lirisë së fjalës."

Cukali në përfundim u shpreh se kryeministrit po i shterojnë edhe mjetet e artikulimit sepse sipas tij flet gjëra që nuk kanë sens.

Intervistoi Beti Njuma, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku