Gazetaria në kohë krize, Çela: Krijimi i Agjencisë së medies arrogancë e shtetit shqiptar dhe Ministri propagande

Organizatat ndërkombëtare për lirinë e medies kanë shprehur shqetësimin për vendimin e qeverisë shqiptare për krijimin e agjencie për “medien dhe informim”. Sipas tyre, formimi i  agjencisë është mjet kontrolli e kufizimi mbi punën e gazetarëve. Organizatat thonë se gazetarët në Shqipëri punojnë në një klimë armiqësore

Gazetarja Lindita Çela, nga Rrjeti i Organizatave të gazetarëve kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e ftuar në TV Ora me gazetaren Beti Njuma  u shpreh se agjencia që qeveria do të krijojë është një "ministri e propagandës" duke pasur parasysh stafin dhe mekanizmat që do të përfshihen në këtë Agjenci.

Çela: "Është quajtur ministri e propagandës duke pasur parasysh që gjithë stafin që do përfshihet në këtë agjenci, të gjithë mekanizmat, të gjithë punonjësit qoftë ata që bëjnë PR e qeverisë por edhe zëdhënësit e shtypit do të jenë të atashuar në qeveri. Dukshëm mund të quhet ose është quajtur ministria e Propagandës. Kam qenë kundër sepse së pari ishte një vendim që në mbledhjen e parë të qeverisë, m'u duk një arrogancë e qeverisë për të krijuar një agjenci ku të gjitha pikat e VKM të linin të kuptoje që nuk kemi të bëjmë me një strukturë në ndihmë të gazetarëve, por me një strukturë në ndihmë të qeverisë. Në një konferencë ku diskutohet për gazetarët unë nuk besoj se personat e përshtatshëm që mund të flasin për medien është  kryeministri i një vendi dhe ministrja e Shtetit, zonja Spiropali. "

Çela u shpreh se ligji i antishpifjes është i nevojshëm sepse një nga problemet më të mëdha që ka gazetaria ditët e sotme është shpifja. Por sipas saj, shpifës më i madh se një gazetar është vetë qeveria dhe institucionet së bashku me mediet e paguara prej tyre.

Çela: "Personalisht mendoj që shpifja është një nga problemet më të mëdha që ka gazetaria dhe media në Shqipëri, por më rezulton që shpifës më i madh se sa një gazetar janë institucionet ose mediet ose dhe portalet të paguara nga vetë qeveria. Për mua një propagandë me lajme që emetohen nga qeveria nga mëngjesi deri në darkë mund t'i klasifikoj si shpifje ose të pabotueshme në shumicën e rasteve. Problematikat e medies nuk mund të diskutohen dhe nuk mund të vijë zgjidhja nga institucionet e qeverisë, qoftë edhe qeverisja më demokratike në vend është në interesin e saj t'i ketë mediet nën kontroll."

Intervistoi Beti Njuma, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku