Xhaçka takon ministren britanike: Vizita, hapje e siparit të një faze të re në marrëdhënien mes dy vendeve
Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka takuar ministren për Evropën të Mbretërisë së Bashkuar, Wendy Morton.
Xhaçka u shpreh se vizita hap siparin e një faze të re të marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Ministrja gjithashtu bëri me dije se vitin e ardhshëm do të ngrihet Këshilli i Partneritetit dhe Bashkëpunimit Tregtar mes dy vendeve.
Xhaçka: "Ishte kënaqësi që mirëprita ministren Morton. Kjo vizitë shënon hapjen e siparit të një faze të re të marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Është një moment simbolik pasi këtë vit shënojmë 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve tona diplomatike për herë të parë në vitin 1921. Në këtë përvjetor jemi duke punuar për t'i dhënë kësaj marrëdhënieje një dimension shumë më ambicioz, qoftë në shkëmbimet ekonomike, politike, kulturore por edhe në bashkëpunimin me organizatat ndërkombëtare. Bëhet fjalë për një vullnet reciprok,çka më bën optimiste që do dimë të hedhim hapa konkretë për ta shfrytëzuar siç duhet potencialin e madh që ekziston mes vendeve tona. Vitin që vjen do të ngrihet Këshilli i Partneritetit dhe Bashkëpunimit Tregtar, por kemi dhe një mundësi për konsolidimin e marrëdhënieve duke punuar së bashku edhe në Këshillin e Sigurimit."
Ministrja Morton konfirmoi se Britania është një aleate dhe mike e fortë si për Shqipërinë ashtu dhe për Ballkanin Perëndimor.
Morton: "Është kënaqësi që jam në Tiranë. Është vizita ime e parë në Shqipëri, por jo në Ballkanin Perëndimor. Ne kemi pasur një shkëmbim të mrekullueshëm dhe kemi mbuluar tematika të ndryshme në rrugën e Shqipërisë për Këshillin e Evropës. Më e rëndësishme është se si do mund të çojmë përpara marrëdhënien mes Britanisë dhe Shqipërisë. Partneriteti ynë konfirmon edhe angazhimin tonë ndaj një marrëdhënieje me Shqipërinë. Mbretëria e bashkuar vazhdon të mbetet një mik dhe aleat i fortë për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor."
Morton u shpreh se me rëndësi është çuarja përpara e marrëdhënieve mes dy vendeve./OraNews/
