Meta: Mesazhet e sotme të Samitit BE-Ballkani Perëndimor janë inkurajuese
Për presidentin e vendit, Ilir Meta mesazhet e sotme të Samitit BE-Ballkani Perëndimor janë inkurajuese.
Ai shkruan në Facebook se perspektiva evropianë e rajonit jetësohet përmes reformave të besueshme, në themel të të cilave qëndrojnë parimet dhe vlerat evropiane të demokracisë, të drejtave themelore dhe sundimit të ligjit.
Meta thekson se bashkëpunimi rajonal duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të përqendrohet në zbatimin e zotimeve të ndërmarra.
Meta: Mirënjohës për mbështetjen politike dhe ndihmën e gjithanshme, që Bashkimi Evropian vazhdon t’i japë Shqipërisë dhe gjithë rajonit tonë, si partner i parë dhe i natyrshëm ekonomik, duke qëndruar plotësisht të linjëzuar në qëllimin e përbashkët strategjik të zgjerimit. Plani Ekonomik i Investimeve dhe Agjenda e re për Inovacionin duhen shfrytëzuar maksimalisht për të rimëkëmbur ekonominë dhe frenuar shpopullimin e mëtejshëm dramatik të vendit.
Bashkëpunimi rajonal duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të përqendrohet në zbatimin e zotimeve të ndërmarra. Bishtnimi ndaj këtyre zotimeve dhe parcelizimi i rajonit kundërprodhojnë më shumë ndasi dhe konflikte artificiale të padobishme, dhe bien ndesh me rrugën evropianë të vendeve tona. Duke përshëndetur Presidencën sllovene të BE dhe të gjitha vendet e tjera anëtare për zhvillimin e këtij Samiti të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, ripërsëris rëndësinë, që ka nisja e shpejtë e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe liberalizimi sa më parë i vizave me Kosovën, një premtim që kërkon zbatim urgjent.

