"Kam vlerësim maksimal për Veliun", Çuçi njofton emërimin e Nanos në krye të policisë: E keni keqkuptuar "kandilin"

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, teksa komunikoi pas mbledhjes së qeverisë ndryshimet në drejtimin e Policisë së Shtetit vlerësoi me superlativa drejtorin e dorëhequr Ardi Veliu.

Çuçi tha se Policia e Shtetit nën drejtimin e Veliut në këto katër vite  ka arritur rezultate si asnjëherë tjetër në këto 30 vjet.

Çuçi: Sot qeveria mori vendim për lirimin nga detyra të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Ardi Veliu dhe emërimin në këtë detyrë të zotit Gledis Nano.Veliu largohet nga kjo detyrë me rezultate shumë të larta duke çuar në nivele si asnjëherë tjetër në këto 30 vite performancën e Policisë së Shtetit falë përkushtimit maksimal, profesionalizimit dhe përgjegjshmërisë së jashtëzakonshme që ka demonstruar Veliu në këto katër vite në drejtimin e policisë së shtetit dhe të gjithë treguesit e sektorit të policisë flasin për një rritje dhe një standard të krijuar tashmë të performancës së policisë së shtetit në nivele maksimale.

Ministri tha se sfidë e drejtuesit të ri, oficerit të karrierës Gledis Nano, mbetet për ta çuar përpara këtë performancë të shkëlqyer të Policisë së Shtetit.

Çuçi: Sigurisht që zoti Nano që e zëvendëson sërish është një oficer karriere dhe së fundi ka shërbyer për një kohë të gjatë si drejtor i drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit ka një sfidë për ta çuar përpara këtë performancë të shkëlqyer të Policisë së Shtetit në këto vite.

Afati 100 ditor i lënë nga Rama për reformimin e strukturave është drejt skadimit.

I pyetur nëse Veliu ishte "kurbani" i këtij ultimatumi, Çuçi dha këtë përgjigje.

Pyetje: Ju thatë se thuajse të gjithë treguesit e policisë në këto katër vite janë përmirësuar por nuk mendon kështu Kryeministri kur ju la 100 ditë kohë strukturave policore për tu reformuar. Teksa ky afat është duke përfunduar, a mund të na rendisni çfarë reformash keni bërë apo reforma e vetme është fikja e kandilit të zotit Veliu?

Çuçi: E keni keqkuptuar pjesën e kandilit, janë situata që krijohen në një dinamikë komunikimi me opozitën në komisionet parlamentare, megjithatë do t'ja lëmë atij momenti. Unë kam vlerësim maksimal për zotin Veliu. Të gjithë sektorët, që nga numri i vrasjeve që është përgjysmuar nga 2013 apo Operacioni Forca e Ligjit që ka çuar në pranga 78 anëtarë të krimit të organizuar apo ka sekuestruar 200 milion euro në këto vite të vogla, apo performanca dhe besueshmëria që është rritur ndaj institucionit të policisë së shtetit që ka qenë 35% në 2013 dhe sot është 65% e bërë nga sondazhe të pavarura. Janë të gjithë treguesit që flasin se kemi arritur në një standard të caktuar. Do ketë 100 ditë, 300 ditë, gjithmonë vendosim objektiva. E vetmja konstante e jona është ndryshimi. Në këtë momente sjellim një energji të re me synimin që të realiziojmë edhe objektivat apo të gjithë angazhimet që kemi marrë ne në mandatin e tretë të qeverisjes së Shqipërisë.