Trafikonin klandestinë me gomone, egjiptiani që mblidhte emigrantët dhe organizatori mbeten ne burg
Vetëm 2 nga 5 të arrestuarit për tentativën e trafikimit të 15 klandestinëve me gomone nga Vlora drejt Italisë mbetën në burg.Gjykata mbajti në qeli një shtetas egjiptian që orientonte emigrantët dhe një organizator të rrjetit të trafikimit.
Gjykata e Vlorës mbajti në burg dy nga pesë personat e arrestuar për tentativën e trafikimit me gomone drejt Italisë së 15 klandestinëve nga Egjipti.
Ishte gjyqtarja Arbana Selmanaj që rrëzoi kërkesën e prokurorisë për të mbajtur në qeli të gjithë grupin.
Masa e sigurisë “arrest me burg” u caktua vetëm për Klodian Gjikondajn dhe shtetasin egjiptian Mohamed Sherifi.
Ndërsa Fatjon Belaj, Rober Hysa dhe Arjol Lleshi do të hetohen me masën e sigurisë "arrest shtëpie".
Hetimet ndërkohë kanë zbardhur edhe skemën e trafikut. Egjiptiani Mohamed Sherif, dyshohet se grumbullonte klandestinët dhe bënte lidhjen me rrjetin
Robert Hysa dhe Arjol Lleshi, strehonin klandestinët në ambientet e tyre, ndërsa Klodian Gjikondaj, Fatjon Belaj dhe një 28-vjeçar ende në kërkim ishin në rolin e transportuesve të emigrantëve.
Ata u vunë pranga në kuadër të operacionit Bristani, pasi policia kapi 15 klandestinë pranë Gjirit të Bristanit, nga ku dyshohet se ata do të niseshin me gomone drejt Italisë.
Një skemë e ngjashme e trafikimi u zbulua në Vlorë edhe në janar të këtij viti, kur rreth 50 klandestinë mbetën të bllokuar për disa orë në mes të detit në një gomone, duke rrezikuar një tragjedi.
