Mësim në sallë dasmash, lokali i fshatit është kthyer në shkollë për nxënësit e Babicës
Nxënësit e fshatit Babicë në Vlorë po e zhvillojnë procesin mësimor në një lokal dasmash pasi godina e shkollës është në restaurim. Por skandali më i rëndë qëndron në faktin se zyra e Arsimit në Vlorë është fare në dijeni të këtij fakti.
Një sallë dasmash shërben si klasë kolektive për nxënësit e shkollës 9 vjeçare “Selam Musai” në Vlorë pasi godina e tyre është në proces restaurimi.
Paradite aty bëjnë mësim bashkë nxënësit e klasës së parë dhe të dytë, ndërsa pasdite ato të klasave nga e treta tek e pesta.
"Më mirë të bëjnë mësim në këto kushte sesa me telefon në klasë të parë."
Mësuesi thotë se kjo ishte zgjidhje e prindërve në pamundësi për ti dërguar fëmijët për të ndjekur procesin mësimor në shkollat e qytetit.
"Është zgjidhje e prindërve sepse nuk donin ti lëviznin fëmijët në shkollë."
Edhe pse e pranojnë se mësimi në këto kushte nuk mund të cilësohet normal, prindër dhe familjarë të nxënësve thonë se ka qenë kërkesë e tyre si zgjidhje e detyruar nga pamundësia.
"I ka shpërndarë nxënësit, ca në Vlorë dhe ca këtu. Ku është bashkia, pse nuk del?"
Ndërsa fëmijët e Babicës po bëjnë mësim në kushte të pazakonta, në Drejtorinë Arsimore të Vlorës nuk janë fare në dijeni.
E kontaktuar, Drejtorja thotë se nxënësit e shkollës "Selam Musai", e kryejnë mësimin me turne në shkollën "Teli Ndini" dhe jo në sallën e dasmave të lokalit të fshatit.

