Plani i qeverisë për çmimin e dritave, Ahmetaj: Do të subvencionohen familjet me të ardhura të ulëta e bizneset e vogla
Qeveria do të subvencionojë familjet me të ardhura të ulëta dhe bizneset e vogla për të përballuar rritjen e çmimit të energjisë. Në Kryeministri është ngritur një grup pune, i cili do të propozojë një paketë ligjore për të përballuar ndikimin që do të ketë shtrenjtimi në tregjet globale.
Javën e ardhshme pritet që në Shqipëri të merret vendimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Vetëm pak ditë pasi u deklarua blerja nga KESH me trefish nga vlera e një viti më parë, kryeministri Edi Rama paralajmëroi për pasojat e rënda.
Për të zbutur efektet do të miratohen ndryshime ligjore që do të propozohen nga një grup pune.
Ahmetaj: Situata energjetike në vend është konseguencë e krizës globale. Në një treg global ekonomia influencohet drejtpërdrejtë nga situata globale, sidomos për mallra që kuotohen në bursa apo që lidhen drejtpërsëdrejti me import-eksportin. E keni dëgjuar se çfarë është duke ndodhur në tregun ndërkombëtar të energjisë elektrike, një kombinim faktorësh gjeopolitik, por dhe komercial që përfshin që nga shtimi i energjisë për energji për shkak të ringritjeve ekonomike në gjithë botën por sidomos në ekonomi të mëdha të industrializuar si Kina, për shkak të sjelljes së Rusisë që është gjithashtu brenda karakterit gjeopolitik të çmimit të gazit, apo të furnizimit të energjisë nga eolikët më e ulëta në 50 vite, apo të dekomisionimit të centraleve të karbonit në Gjermani apo Spanjë çmimet lëvizin në vazhdimësi, ditë për ditë. Sot Spanja e ka çmimin e megavatit 260 euro, Gjermania e njëjta gjë. Ndërkohë një pjesë e mirë e vendeve e ka transferuar koston te konsumatorët.
Kryeministri ka ngritur një grup ndërinstitucional për të menaxhuar dhe monitoruar çdo moment ecurinë e situatës energjetike. Vala e çmimeve ndërkombëtare sigurisht që prek edhe brigjet e Shqipërisë, por ne jemi të gatshëm të mbrojmë konsumatorin familjar dhe biznesin e vogël.Shumë shpejt brenda javës Kryeministri do të shpalosë vetë platformën për mbrojtjen e konsumatorit familjes dhe sipërmarrjen e vogël.
Ne do të vazhdojmë të mbrojmë konsumatorin familjar dhe sipërmarrjen e vogël nga kriza energjitike, nga kriza e çmimeve dhe rritja e kostove për shkak të këtyre çmimeve. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, kompanitë janë duke punuar brenda grupit ndërinstitucional për të garantuar furnizim të pandërprerë të energjisë dhe akse në tregun ndërkombëtar për të blerë energji në mënyrë të vazhdueshme. Familjarët dhe biznesi i vogël do të vazhdojnë të mbrohen nga situata emergjente nga kriza energjitike.
I pyetur nëse mbrojtja e konsumatorit familjar dhe biznesit të vogël përkthehet në mosrritje të çmimit të energjisë elektrike, Ahmetaj u përgjigj:
Ahmetaj: Dua të garantoj qytetarët dhe sipërmarrjen e vogël që do të mbrohen nga kjo mazhorancë siç kemi bërë gjatë gjithë kohës. Paketa specifike do të lançohet nga Kryeministri ditën që vijnë.Priteni paketën e kryeministrit, është mbështetëse për konsumatorin familjar dhe sipërmarrjen e vogël.
Megjithatë çmimet e larta do të duhet ti përballojnë bizneset e mesme dhe të mëdha si dhe personat që kanë paga të mesme dhe të larta.
Në fakt rritja e çmimeve ka nisur të ndihet por Ministrja e Financave paralajmëron se do të ketë një tjetër shtrenjtim.
Ibrahimaj: Në të gjithë botën po materializohen rritje çmimesh, në Shqipëri nuk janë përcjellë ende.
Kundër kësaj situate në rrethe dhe në Tiranë kanë nisur protestat, ku kërkohet ndërhyrja e qeverisë.

