Gledis Nano emërohet drejtor i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu përshendetet me kolegët pas shkarkimit

Gledis Nano është drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Qeveria ka miratuar largimin nga detyra të Ardi Veliut duke zyrtarizuar rokadën në drejtimin e policisë. Kreu i ri i kësaj strukture sipas ministrit të Brendshëm do ti përgjigjet sfidave të mandatit të tretë qeverisës. Gledis Nano është diplomuar në FBI dhe është vlerësuar nga partnerët amerikanë për kontributin në luftën ndaj terrorizmit.

Gledis Nano është emëruar drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në vend të Ardi Veliut në mbledhjen e qeverisë të zhvilluar nën drejtimin e zv.kryeministrit Arben Ahmetaj. 

Ministri i brendshëm Bledi Çuçi tha se kjo frymë e re në drejtimin e policisë vjen në nisje të mandatit të tretë qeverisës.

Çuçi: Sot qeveria mori vendim për lirimin nga detyra të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Ardi Veliu dhe emërimin në këtë detyrë të zotit Gledis Nano.

Kreu i Ministrisë së Brendshme nuk i kurseu me këtë rast vlerësimet për Ardi Veliun.

Çuçi:Veliu largohet nga kjo detyrë me rezultate shumë të larta duke çuar në nivele si asnjëherë tjetër në këto 30 vite performancën e Policisë së Shtetit falë përkushtimit maksimal, profesionalizimit dhe përgjegjshmërisë së jashtëzakonshme që ka demonstruar Veliu në këto katër vite në drejtimin e policisë së shtetit dhe të gjithë treguesit e sektorit të policisë flasin për një rritje dhe një standard të krijuar tashmë të performancës së policisë së shtetit në nivele maksimale.

Ndërkohë që Policia e Shtetit është në pritje të rokadës në krye të saj, mëngjesin e të mërkurës Ardi Veliu është paraqitur në zyrën e tij ku ka përshëndëtur edhe kolegët dhe stafin e ngushtë.

Gledis Nano emërohet drejtor i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu
Aida Hajnaj, drejtore e BKH

Kreu i ri i Policisë së Shtetit, Gledis, Nano mbante detyrën e shefit të Antiterrorit që nga viti 2016 ku një nga dosjet kryesore të hetuara është ajo imamve të arrestuar për terrorizëm.

Po ashtu Gledis Nano drejtoi hetimet ndaj diplomatëve iranian të dëbuar nga Shqipëria.

Kreu i ri i Policisë së Shtetit ishte pjesëmarrës direkt edhe në evakuimin e shtetasve shqiptarë nga nga kampi Al Hol në Siri pak muaj më pare.

Gjatë karrierës së tij Gledis Nano, i cili është diplomuar në FBI në vitin 2017, u vlerësua nga ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftën kundër terrorizmit global.

Pas vendimit të qeverisë tashmë pritet ceremonia e dorëzimit formal të të detyrës nga Ardi Veliu tek drejtori i Përgjithshëm i Policisë Gledis Nano.