Rritja e çmimit të karburantit revolton qytetarët, pritet rritje e çmimit të biletës
Rritja e çmimit të karburanteve ka revoltuar drejtuesit e automjeteve në vend. Disa thonë se do të protestojnë për këtë ndryshim të menjëhershëm të çmimit, ndërsa të tjerë thonë se do të heqin dorë nga automjetet.
Pas trafikut stresues, shoferët po përballen edhe me rritjen e çmimit të karburantit që sipas tyre shton shpenzimet e përditshme.
"Është popull që fle ky, nuk është popull që të ngrihet për çmim karburanti. Ngrihen vetëm për politikë," thotë qytetari.
"Shyqyr që kemi makinë që harxhon pak, se po të kishim makinë që harxhon shumë nuk përballohet," thotë qytetari.
"Ndjehet shumë, mos them diku te 30% me llogaritë e mia kur i hedh karburant," thotë një tjetër.
"Kanë filluar të rriten të gjitha, buka, gazi, karburanti. Rrogat minimale 250-300."
"Ta shesim, ç'e duam."
I të njëjtit qëndrim me qytetarët është edhe sindikata e taksistëve në Shqipëri.
Bilbil Cara thotë se shpenzimet e tyre janë rritur me rreth 30% dhe se kjo pritet të ndikojë në të njëjtën masë edhe në biletat e udhëtimit.
"U rrit karburanti dhe bileta detyrimisht do rritet për arsye se kostoja e shpenzimit e kalon koston e fitimit," thotë Cara.
Sindikata e taksistëve paralajmëron protestë nëse nuk do të ketë një zgjidhje, ose subvencion ose ulje të taksave.
"Dy gjëra të na bëjë shteti ose të na subvencionojë ose të heqë akcizën që dhe konsumatori mos ta mbajë këtë peshë të rëndë," thotë Cara.
Në fillim të javës që lamë pas, nafta blihej me 167 leke/litër, ndërsa gati një javë më pas ky çmim ka shkuar në 178 lekë për litër.
Sipas ekspertëve të kësaj fushe gjendja pritet të përkeqësohet edhe më shumë./OraNews/
