Vaksinimi shtyn me një javë hapjen e universiteteve

Ministria e Arsimit vendosi shtyrjen e fillimit të vitit akademik me një javë nga data e përcaktuar. Kjo është bërë për ti dhënë një javë kohë vaksinimit intensiv të studentëve në mënyrë mësimi të kryhet në auditore. Por e paqartë mbetet mënyra se si do të veprohet me studentët e pavaksinuar.

Nisja e vitit akademik do të nisë një javë më vonë nga data që ishte parashikuar.

Ministria e Arsimit njofton se  do të jetë data 18 tetor dita kur studentët do të kthehen në auditore.

Në njoftimin e Ministrisë së Arsimit thuhet se kjo shtyrje është bërë për tu dhënë edhe një javë kohë studentëve për tu vaksinuar kundër Covid 19.

Nga data 11 deri në 17 do të jenë ditë të vaksinimit intensiv, kur pritet të rritet edhe më shumë numri i të vaksinuarave.

Ndërkohë që ministrja Evis Kushi sqaron se në auditorë do të futen vetëm studentët e vaksinuar, nuk është e qartë se si do të veprohet me ata që për arsye të ndryshme nuk e kanë bërë vaksinën.

Kjo shihet me shqetësim edhe nga përfaqësues të shoqërisë civile.

Në urdhrin e Ministrisë së Arsimit është hequr si mundësi zhvillimi i mësimit online ndaj kjo e bën edhe më të paqartë zgjidhjen e situatës për të pavaksinuarit.

Rreth 90 për qind e pedagogëve në universitete janë vaksinuar, ndërkohë që nuk ka një shifër të saktë për numrin e të vaksinuarve për Covid.

Postimi i plotë i Ministres Kushi:

Të dashur studentë,

Së pari dua t'ju falenderoj të gjithë ju që i jeni bashkuar procesit të vaksinimit dhe po na ndihmoni që së bashku t'i rikthehemi normalitetit në të gjitha universitetet e vendit. Meqënëse fillimi i vitit të ri akademik po afron dhe ne duam që të gjithë ju, pa përjashtim, të hyni në auditore pa rrezikuar shëndetin tuaj dhe të stafeve akademike, javën e ardhshme e kemi shpallur si "Java e vaksinimit masiv të studentëve".

Shumë faleminderit edhe një herë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që shprehu menjëherë gatishmërinë që në të gjitha fakultetet dhe universitetet e vendit të vendosë në dispozicion ekipet e tyre të vaksinimit, për të mundësuar mbarëvajtjen e këtij procesi.

E që kjo javë të jetë sa më produktive, me kërkesë të Konferencës së Rektorëve, viti i ri akademik do të fillojë zyrtarisht në datën 18 tetor, me qëllim që nga data 11-17 tetor të gjithë së bashku të jemi të fokusuar vetëm në procesin e vaksinimit të studentëve.

Nga universitetet do të kërkoja sa më shumë bashkëpunim dhe koordinim me strukturat e shëndetësisë, për të venë në dispozicion të gjitha hapësirat e nevojshme për studentët dhe personelin e vaksinimit, ndërsa studentëve do t'u lutesha me gjithë zemër e do t'i inkurajoja fort që ta shfrytëzojnë edhe këtë mundësi të re, me qëllim që viti i ri akademik të jetë sa më i mbarë e i suksesshëm.

Kam shumë besim që ju, të dashur studentë, do të na provoni edhe këtë herë që jeni pjesa më vitale dhe progresiste e shoqërisë sonë.

Faleminderit dhe shumë suksese të gjithëve!