Rritja e çmimeve/ Fuga: Jeta do bëhet e shtrenjtë, shqiptarët nuk do e përballojnë dot
Prokuroria e Posaçme është vënë në lëvizje pas publikimit të dokumenteve të skandalit “Pandora Papers”, ku sipas një investigimi nga 600 gazetarë nga e gjithë bota, janë të përfshirë politikanë, biznesmenë dhe kompani nga e gjithë bota.
Dyshohet se në këtë skandal është përfshirë një politikan shqiptar dhe 13 kompani nga vendi ynë.
Në lidhje me këtë, Akademiku Artan Fuga, në një intervistë për Ora News, shprehet se kjo është punë që i takon drejtësisë, ndërkohë shton se mediat në Shqipëri e ka të vështirë të investigojë.
Artan Fuga: Kjo është një punë që i takon drejtësisë. Unë kam dëgjuar një emër që qarkullon në media.
Media ka fuqi shumë të madhe për të investiguar dhe fatkeqësisht për arsye që janë studiuar, media në Shqipëri e ka vështirë të investigojë. Në vendin tonë dimë që është vjedhur, grabitur, janë shpërdoruar prona publike, janë shpërdoruar prona publike. Kompani të vogla që funksionojnë jashtë Shqipërisë, ku politikat fiskale e çlirojnë kapitalin nga taksat dhe pastaj këto kompani të vogla, blejnë vila toka, apo financojnë në kuadrin e tenderimit të pronës publike, kjo tregon se është një mekanizëm shumë i rrezikshëm për shoqërinë.
I pyetur se a do të zbulojë drejtësia një çështje të tillë, Fuga shprehet skeptik teksa thotë se në vendin tonë gjyqtarët nuk justifikojnë pasurinë apo japin dorëheqjen.
Sipas tij këto bëjnë që besimi tek institucionet e drejtësisë të jetë i vakët.
Artan Fuga: Dyshoj shumë te puna e drejtësisë, një dyshim i mbarë opinionit publik që mbështet në dy pika: A ka mundësi qytetari i thjeshtë të kërkojë të drejtën e tij për sigurinë, për qetësinë dhe ta marrë këtë të drejtë nga sistemi i drejtësisë, këtu në opinionin tim ka një skeciptizëm. E dyta është, a ka mundësia që organet e drejtësisë ta zbulojnë korrupsionin, krimin. Edhe për këtë ka pasur një dyshim të madh. Po shohim gjyqtarë që nuk justifikojnë pasurinë , gjyqtarë që nuk janë në gjendje të tregojnë se nga vijnë të ardhura, gjyqtarë që japin dorëheqjen, që nuk kalojnë procedurat. Të gjitha këto bëjnë që besimi të jetë shumë i vakët.
Akademiku është ndalur edhe tek rritja e çmimeve, ku shprehet se jeta në Shqipëri do të bëhet e shtrenjtë.
Artan Fuga: Rritja e çmimeve të energjive, padyshim që do të ketë impakt mbi rritjen e çmimeve të produkteve. Nga kjo pikëpamje, mendoj se jeta do të bëhet më e shtrenjtë. Shqiptari do të ketë mundësi më pak që ta përballoj atë, sidomos shtresat në nevojë. E dyta, ne dalim nga një shoqëri e errësirës, me shkëputje energji, me ndërprerje energjie, me qirinj. Domethënë që në momentin kur nuk ka shumë energji ka dy rrugë ose të rritet çmimi e energjisë ose të pakësohet nevoja për energji.
Intervistoi Siklajda Shorja, përgatiti për online Anila Kolgjini.
