Detaje të reja nga atentati në Elbasan, dyshohet se Çollaku kishte lidhje me Talo Çelën
Një atentat ka ndodhur mbrëmjen e sotme (4 tetor) në Elbasan rreth orës 19:30. Sipas informacioneve paraprake bëhet fjalë për një atentat të mirë-organizuar nga mënyra e ekzekutimit.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen “28 nëntori” pranë një karburanti.
Sipas dëshmive në vendngjarje, Ardjan Çollaku dhe Lulzim Bitri kanë qenë duke lëvizur në këmbë, në momentin që janë qëlluar nga një automjet në lëvizje.
Më pas një automjet tip "Volvo" është gjendur i djegur në fshatin Balldre.
Fillimisht u raportua për dy viktima, Ardjan Çollaku dhe Lulzim Bitri.
Më pas u mësua se Çollaku është në gjendje të rëndë dhe u nis drejt spitalit të Traumës në Tiranë.
Ora News përcolli live ngjarjen nga Elbasani.
Kush është Ardian Çollaku
Çollaku është hetuar për vrasjen e Everest Çakajt ku policia e Elbasanit ka dyshuar se ka pasur lidhje direkte me vrasjen. Everest Çaka u vra mbrëmjen e 11 majit në një atentat mafioz në sy të bashkëshortes së tij, e cila gjithashtu mbeti e plagosur.
Nga hetimet ka rezultuar se Çollaku ka probleme me drejtësisë italiane ku ka qenë i dënuar.
Sipas informacioneve Çollaku vidhte automjete në shtetin fqinj dhe më pas i sillte në vendin tonë, ku merreshin nga persona për t'u përdorur në aktivitete të ndryshme kriminale.
Dyshohet gjithashtu se ai ka bashkëpunuar edhe me grupin e Dubait ku ka bërë pjesë edhe Erjon Alibeaj, vëllai i Endrit Alibeaj që mbeti i vdekur në masakrën e Bradasheshit në vitin 2018. Deri më tani rezulton se janë persona që kanë lidhje edhe me të shumëkërkuarin e Elbasanit Talo Çela.
Kush është Lulzim Bitri
Gazetarja Edisona Skënderi raportoi se Lulzim Bitri, 35 vjeç i cili ndërroi jetë nga plagët e marra është përfshirë në një ngjarjeje kriminale në prill 2018, ku në Maqedoninë e Veriut ka mbetur i vrarë një shqiptar atje.
Dyshohet se ky atentat mafioz është i lidhur me biznesin e paligjshëm që këta persona kanë pasur lidhur me trafikun e lëndëve narkotike nga Turqia.
Mjeti i djegur është përdorur nga autori/autorët
Policia ka njoftuar se është duke hetuar për persona të përfshirë në këtë ngjarje, nuk dihet nëse ka persona të shoqëruar në komisariatin e Elbasanit.
Mjeti i djegur është konfirmuar se i përket autorëve të vrasjes së Lulzim Bitrit dhe plagosjes së Ardian Çollakut. Burime bëjnë me dije se në makinën me të cilën u krye atentati i sotëm në qytetin e Elbasanit ndodheshin të paktën 3 persona.
Ardian Çollaku mbërrin në spitalin e Traumës në Tiranë në gjende të rëndë
Gazetari Edison Vatnikaj nga spitali i Traumës në Tiranë informoi se i plagosuri Ardjan Çollaku i njohur edhe me mbiemrin Subashi mbërriti në gjendje të rëndë. Ai ndodhet në sallën e operacionit. Në fillim u konfirmua i vdekur, por burimet spitalore bënë me dije se Çollaku pësoi vdekje klinike dhe ka ende shenja jete. Në spitalin e Traumës ndodhen forcat RENEA.
Hoteli i cili ndodhet pranë vendit ku ndodhi ngjarja e rëndë ka kamera sigurie dhe pamjet filmike janë marrë nga policia dhe po hetohen, ndërsa janë ngritur pika të shumta kontrolli për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorëve./OraNews/
