Dy viktima nga atentati me armë zjarri në Elbasan, i plagosuri ndërroi jetë në spital
Ka ndërruar jetë në spital pak pas mesnate 50-vjeçari Ardjan Çollaku, i cili mbeti i plagosur rëndë në atentatit me armë zjarri mbrëmjen e të hënës (4 tetor) në Elbasan.

Ngjarja u regjistrua rreth orës 19:30, pranë një pike karburanti. Nga të shtënat me armë zjarri mbeti i vdekur në vend edhe Lulzim Bitri 40 vjeç.
Sipas dëshmive në vendngjarje, Ardjan Çollaku dhe Lulzim Bitri kanë qenë duke lëvizur në këmbë, në momentin që janë qëlluar nga një automjet në lëvizje.
Sipas dëshmitarëve personat kanë qenë të veshur me rroba të zeza dhe njëri prej tyre kishte kapuç.
Burime bëjnë me dije se në makinën me të cilën u krye atentati ndodheshin të paktën 3 persona.
Më pas një automjet tip "Volvo" u gjet i djegur në fshatin Balldre.
Policia e Elbasanit ka shoqëruar rreth 23 persona për marrjen në pyetje. Aktualisht pista kryesore që po heton policia është ajo e larjes së hesapeve.

