Ekonomistët skeptikë ndaj Ramës, shkak i çmimeve të larta të karburantit barra fiskale
Një ditë pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama për krizë energjitike dhe rritje çmimesh ekspertët e ekonomisë e shikojnë situatën me dyshim. Profesori i ekonomisë Mateo Spaho, thotë se duhet parë respektimi i parimit të ndershmërisë e transparencës nga kompanitë që kanë blerë e shitur energji.
"Së pari duhet të shikojmë nëse çmimi me të cilin është blerë energjia elektrike është e një burse ndërkombëtare apo edhe më i lartë," tha Spaho.
Pedagogu Enriko Ceko nga ana tjetër thotë se faktor tjetër ndikues mund të jetë kërkesa në rritje për energji me ardhjen e stinës së dimrit.
"Me ardhjen e periudhës së dimrit ka një kërkesë shumë të madhe për energji," tha Ceko.
Deklaratën e kryeministrit Rama për shpalljen e një krize të mundshme ekonomike, ekonomistët e vlerësojnë të gabuar, pasi konsumi mund të ulet dhe investimet mund të pakësohen, duke sjellë në dëm të madh ekonomik.
"Edhe ata që kanë lekë duhet të jenë të kujdesshëm mos i shpenzojnë ato sepse do të presin kohë të vështira. Pra konsumi do ulet, ai kapacitet prodhues nuk do rritet sepse dhe sipërmarrësit do të kenë frikë nga e ardhmja dhe nuk do investojnë," tha Spaho.
"Ne nuk kemi asnjë arsye që të frikësohemi për rritjen e çmimit, qoftë të energjisë, qoftë edhe të naftës në tregun ndërkombëtar sepse ne i kemi burimet. Çështja është te menaxhimi i burimeve," tha Ceko.
Sipas specialistëve taksimi në çmimet e karburanteve po i dëmton qytetarët dhe bizneset ndërsa përfitues janë kompanitë e tregtimit.
"60% e formimit të çmimit janë taksat e shtetit shqiptar, vetëm 40% varet nga bursat ndërkombëtare, fitimi i kompanive, kostot e përpunimit të naftës dhe të gazit," tha Spaho.
"Në momentin që nafta futet në doganë nga 55 lekë vajti 90 lekë, shto dhe TVSH 20%," tha Ceko.
Ekonomistët mendojnë se heqja e akcizës dhe ulja e presioneve fiskale do t`i jepte një frymëmarrje ekonomisë.
"Qeveria të rishikojë buxhetin dhe të shikojë mundësisht se si mund të mos vazhdojë me PPP dhe të fillojë të kursejë që nga ana tjetër të ketë të gjitha lekët të përballojë këtë rritje," tha Spaho.
"Unë nuk po them që heqja e akcizës është ajo që do zgjidhë gjithë situatën në ekonominë shqiptare, por do jetë një ndihmë e madhe për të gjitha bizneset," tha Ceko.
Specialistët shikojnë si rrugëzgjidhje edhe krijimin e një skeme të re për shfrytëzimin e resurseve dhe burimeve natyrore të vendit. /OraNews/
