Rritja e çmimeve, Basha: PD nxit dhe mbështet çdo formë të reagimit popullor
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzoi se kriza e energjisë nuk po vjen si shkak i tregjeve të jashtme por për shkak të korrupsionit qeveritar. Basha tha se zhvatja dhe babëzia e qeverisë socialiste e ka zhytur vendin në varfëri, ndaj, tha ai, PD nxit dhe mbështet çdo formë të reagimit qytetar.
Lulzim Basha ka urdhëruar deputetët e tij që të intesifikojnë takimet me qytetarët për të qenë pranë tyre në këtë situatë të vështirë ekonomike që sipas tij po kalon vendi.
Mbledhja e grupit parlamentar është fokusuar tek kriza e energjitike dhe rritja e çmimeve, ndërsa Lulzim Basha tha se kjo nuk vjen për shkak të tregjeve ndërkombëtare por për shkak të korrupsionit të brendshëm.
Basha: Nuk është mashtrimi i Edi Ramës se kjo që po na vjen është çështje e tregjeve ndërkombëtare, është një tjetër pasojë e keqqeverisjes së tij, vendimmarrjes së tij gjakftohtë por kriminale që paratë që duhet të çonte për uljen e çmimit të energjisë dhe karburanteve siç i ka premtuar, i ka marrë në fakt, çmimet i ka shtuar dhe me paratë e mbledhura shtesë ka pasuruar veten e tij dhe një grusht oligarkësh që janë pjesë e thellimit të problemit në Shqipëri.Abuzimi i tyre duke vjedhur energjinë elektrike është pjesë e problemit.
Të mërkurën në orën 17:00 është thirrur nga qytetarët një protestë para kryeministrisë për të kundërshtuar rritjen e çmimeve.
Lulzim Basha tha se Partia Demokratike mbështet çdo formë të reagimit qytetar.
Basha: Të nxisim, inkurajojmë, mbështesim dhe përkrahim të gjitha format e reagimit popullor sepse ky nuk është një problem i PD por i gjithë qytetarëve, është një problem kombëtar.
Një ditë më pare kreu i opozitës, propozoi një plan me 7 pika për përballimin e krizës.
PD, tha ai, do të bëjë gjithçka dhe do jetë pranë qytetarëve në këtë kohë të vështirë.
Basha: Ne kemi jo vetëm propozimet që u bënë publike dje por do të bëjmë gjithçka për të ndalur këtë fatkeqesi të re që Edi Rama po përgatiti, këtë sëpatë që po mpreh për qafën e holluar dhe varfëruar të shqiptarëve për të mbyllur gropën e korrupsionit të Edi Ramës. Kjo gropë nuk mund të mbushet duke grabitur dhe duke u marrë qindarkat e fundit shqiptarëve. Ka vetëm një mënyrë për të mbushur gropën, paratë e zhvatura me PPP, tendera korruptivë, koncesione, afera që janë të vetmet vepra dhe gjëma të Edi Ramës, të shërbëjnë për të plotësuar ata hapa të menjëhershëm që kemi propozuar.
Të martën Lulzim Basha do të jetë në Slloveni, ku do të marrë pjesë në Samitin e Partive Popullore Europiane.
