Kriza energjetike/ Xhepa: Barra e rritjes së çmimeve s’mund ti faturohet konsumatorëve, tarifat janë të larta
Ditën e djeshme Kryeministri Edi Rama në një deklaratë për shtyp, paralajmëroi se do të ketë rritje të çmimit të energjisë.
Eksperti i ekonimisë Selami Xhepa, në një intervistë për Ora News, u shpreh se këto janë zhvillime afatshkurtra, teksa shton se sfida do të jetë e afatgjatë për ekonominë dhe konsumatorin.
Selami Xhepa: Ka një lloj nervozizmi në tregjet ndërkombëtare dhe situata globale e prodhimit të energjisë elektrike po përjeton disa probleme të disbalancave midis kërkesës dhe ofertës dhe kjo po shoqërohet me rritje të çmimeve në veçanti në ato që janë të rëndësishme.
Po flasim për zhvillime që janë më shumë afatshkurtra dhe në fakt masa që po ndërmerren janë reflektim i disa presioneve që janë afatshkurtra, pavarësisht se sfida është afatgjatë, për atë që e pret ekonominë dhe konsumatorin. Pavarësia energjitike nënkupton një diversifikim të burimeve të ofertës.
Xhepa thekson se po bëhen diskutime në lidhje me aksionin që duhet ndërmarrë në lidhje me rritjen e çmimit të energjisë.
Selami Xhepa: Ndryshimet klimatike ndikojnë në dy këndvështrime, e para paqëndrueshmëria e motit dhe nga ana tjetër nevoja për të ndryshuar teknologjinë e prodhimit dhe duke u zhvendosur nga energjia që çlirohet përmes djegies së lëndëve fosile të karburanteve drejt energjisë së pastër. Ajo shoqërohet me probleme sepse kostot e zevendësimit janë të larta. E gjithë shoqëria është duke ridiskutuar si politikat ashtu dhe sistemet e energjitike, dhe aksioni që duhet ndërmarrë në lidhje me këtë. E gjithë shoqëria është në një proces formatimi dhe Shqipëria duhet të jetë pjesë e këtij formatimi.
Më tej shton se barra e rritjes së çmimeve nuk mund t’i faturohet konsumatorëve sepse në Shqipëri tarifat janë tepër të larta.
Selami Xhepa: Barra e rritjes së çmimeve nuk mund t’i faturohet konsumatorëve sepse në Shqipëri tarifat janë tepër të larta, në raport me të ardhurat e qytetarëve.
Pagat dhe shpenzimet në Shqipëri janë tepër të ulëta, shpenzimet e konsumatorit në raport me të ardhurat janë shumë të larta. Shqipëria është në një pozicion shumë të disfavorshëm./ Ora News/
