Kriza e karburanteve, Buxhuku: Shqipëria nuk shfrytëzoi burimet alternative, Rama shpalli dorëzimin
Shqipëria pavarësisht se është vend prodhues i naftës ka çmimet më të larta në rajon duke ju referuar të dhënave më të fundit në fund të muajit shtator. Rezulton se gazi ka pësuar një rritje deri në 60%, ndërsa nafta dhe benzina mbi 10%.
Administratori i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku në një lidhje të drejtpërdrejtë me RTV Ora me gazetaren Besmira Pelushaj u shpreh se qeveria shqiptare duhet t'i kishte marrë masat më parë që mos ishte prekur nga kriza ndërkombëtare e karburanteve, pasi vendi ynë si vend prodhues i ka mundësitë.
Sipas zotit Buxhuku vendi ynë nuk i ka shfrytëzuar burimet alternative të prodhimit. Deklaratën e djeshme të kryeministrit Rama, Buxhuku e cilësoi si pafuqi për t'u përballur me këtë krizë.
Buxhuku:" Ka disa kohë që situata është vështirësuar dhe ka ardhur si pasojë e rritjes së fortë dhe të shpejtë të çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Qeveria shqiptare duhet të vlerësojë që mos kemi kosto shtesë mbi ato që janë objektive dhe vijnë nga tregjet ndërkombëtare. Ne i kemi këto mundësi. Ne duhet t'i kishim marrë masat me kohë, duhet të kishim menduar seriozisht, fatkeqësisht nuk e kemi bërë një gjë të tillë për të punuar në disa drejtime të rëndësishme në mënyrë që mos jemi kaq vulnerabël ndaj lëvizjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Ne kemi disa epërsi sepse kur vjen fjala për naftën Shqipëria është vend prodhues, nuk e përpunon naftën e saj, nafta shkon jashtë në gjendje bruto dhe ne importojmë nënprodukte të naftës. Këtu jemi në fazën e prodhimit ku kemi problematika të mëdha, të cilat nëse do të ishin menaxhuar më ndryshe do t'i shërbenin në mënyrë indirekte si një oksigjen shtesë për ekonominë shqiptare në mënyrë që të zbuste efektet e kësaj krize në tregjet ndërkombëtare.
Kryeministri me deklaratën e djeshme sikur shpalli pafuqinë për t'u përballur me këtë valë të re të rritjes së çmimeve të karburanteve duke thënë s'kemi ç'bëjmë është si pandemia dhe tërmeti kështu që jeni të detyruar ta përballoni. "
Vendi ynë, në perceptimin e zotit Buxhuku i ka mundësitë që ta kalojë shumë më lehtë këtë krizë në krahasim me vendet e tjera të prekura.
Buxhuku:" Qeveria nuk ishte shumë e interesuar vitet e fundit, ose nuk e kuptonte sepse ka të bëjë dhe me aftësinë që energjia është bazë. Në tërësinë e saj ka shumë për të bërë. Këto janë projekte të mëdha të cilat kërkojnë kohë që të jenë në shërbim të interesit publik, për mos ta lënë veten ta quajmë fatkeqësi natyrore. Kjo është e pamenduar se si mund të dorëzohesh kaq shpejt. Ne i kemi mundësitë që ta kalojmë shumë më lehtë se sa vendet e tjera që nuk i kanë këto mundësi."
Më tej ai shtoi se rritja e çmimeve të ushqimeve bazë dhe kriza e fundit energjitike kanë të bëjnë me problemet në sistemin tonë demokratik.
Buxhuku:" Shqipëria në radhë të parë ka probleme demokracie. Fakti që ne menaxhojmë kaq dobët burimet natyrore që na ka dhënë Zoti ja vë fajin problemeve që ka demokracia. Kemi një sistem i cili ka rënë, kemi probleme themelore të demokracisë. Një qeveri e cila vjen në pushtet dhe në kundërshtim me standardet bazike të demokracisë, fakti që ka një opozitë të dobët, fakti që nuk ka frikën e një rotacioni është e pafalshme që Shqipëria ta kthejë ministrinë e Energjisë thjeshtë një shtojcë të një ministrie e cila çuditërisht del në televizione bën spektakël për gjysmë kilometër rrugë asfalt.
Nuk kemi shtuar burimet, ndërkohë që i kemi të gjitha mundësitë për t'i shtuar. Këto janë politika që duhet t'i bëjë një shtet dhe një qeveri e përgjegjshme. Ne nuk i kemi këto, kemi një çarje të plotë. Për të dhënë një zgjidhje të qëndrueshme Shqipëria ka nevojë të hedhë themelet e shëndosha të një sistemi demokratik."
Intervistoi Besmira Pelushaj, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku
