Bllokohen 7 tendera, 1 milionë euro, KPP detyron agjencinë e blerjeve të përqendruara të rishikojë kriteret
Pas ankimimit të 10 tenderave, me vlerë rreth 1 milionë euro, që do të bëheshin për pajisjet spitalore të QSUT, KPP ka vendosur të pranojë 7 prapësime të bërë nga kompanitë për ndryshimin e kritereve.
Procedura e hapur nga Autoriteti i Blerjeve të Përqendruara sipas 5 kompanive ankimuese kishin kushte të qëllimshme që pengonin pjesëmarrjen e tyre në garë, duke e drejtuar procesin te një fitues i paracaktuar.
Vendosja e shpejtësisë tek shtretërit me motor, frekuenca tek ekot kardiovaskulare apo heqja e përcaktimit të burimit të dritës tek pajisjet e endoskopisë janë disa prej pikave të kundërshtuara.
Pas shqyrtimit të materialeve nga ana e KPP është vendosur anulimi i 7 procedurave, duke urdhëruar autoritetin prokurues ti vendosë kompanisë përballë kushteve të barabarta.
Dy ankimimet e tjera ku kërkohej ndryshimi i specifikimeve teknike KPP i ka rrëzuar pasi këto kërkesa nuk kanë qenë të argumentuara nga ana e kompanive.
Ndërkohë KPP ka refuzuar dhe 1 ankimim e cili ishte dorëzuar jashtë afateve ligjore.
Pas vendimit i është kërkuar Autoritetit të Blerjeve të Përqendruara të ndryshojë menjëherë kriteret dhe të publikojë njoftimin në procedurën e tenderit./OraNews/
