Hetimet për ish-prokurorin e Sarandës, SPAK merr në pyetje 5 oficerë të policisë gjyqësore

Pesë oficerë të policisë gjyqësore në Sarandë janë marrë marrë në pyetje nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen ndaj ish-prokurorit të Sarandës, Sali Hasa. Ky i fundit po hetohet për korrupsion ndërkohë që efektivat e policisë janë pyetur në lidhje me çështjet e hetuara nga ish-zyrtari për të cilin javën e kaluar u kryen kontrolle edhe në Kadastrën e Vlorës.

Pesë efektivë të policisë së Sarandës janë marrë në pyetje nga SPAK në kuadër të dosjes penale kundër ish-prokurorit të këtij qyteti Sali Hasa.

Punonjësit e policisë me detyrë oficerë gjyqësore kanë dhënë dëshminë ditën e djeshme lidhur me çështjet penale që ata kanë pasur me Sali Hasën, gjatë kohës që ai ushtronte detyrën e prokurorit në Sarandë.

Ora News mëson se oficerët policorë janë pyetur rreth personave që kishin ndaluar në territorin juridiksional që mbulon komisariati i Sarandës dhe si ishin zgjidhur këto arrestime nga prokurori, Sali Hasa.

Njëherësh 5 efektivat janë pyetur edhe për veprimet proceduriale që ata kanë kryer në momentin e përgjimit, arrestimit dhe më pas shoqërimin e prokurorit Sali Hasa në qytetin e Sarandës.

Pyetja e 5 punonjësve të policisë Sarandë brenda një dite, është veprimi i rradhës që kryen prokuroria e posaçme SPAK për çështjen penale, kundër prokurorit të arrestuar Sali Hasa.

Një javë, oficerë të SPAK, shkuan në zyrën e regjistrimit të pronave në Vlorë, duke bërë sekuestrimin e disa dosjeve nga arkiva e këtij institucioni.

Në 19 qershor 2021 në kuadër të një operacioni të zhvilluar nga SPAK, janë arrestuar 6 persona mes tyre, prokurori i Sarandës Sali Hasa, oficeri i Policisë Gjyqësore Napolon Hodaj, Arbitri i ndeshjeve të futbollit Qerim Ruçi, një zyrtar i klubit sportiv SHS “Përmeti” Bledar Hajredini, si dhe dy "sekserë" Julian Zera dhe Emiljano Mirani.

Ndërkohë Elsona Papa po hetohet në masën e “arrestit shtëpiak” ndërsa Hysen Korenica, ish-ekspert mjeko-ligjor po hetohet nën masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.