Gjykatat në Korçë drejt kolapsit, në Apel komandohen gjyqtarë të shkallës së parë

Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit në Korçë po shkojnë drejt kolapsit total për shkak të shkarkimeve nga vettingu. Në të dy këto institucione mungojnë gjyqtarët, ndërsa ata që aktualisht janë në detyrë po përballen me një fluks të madh dosjesh si pasojë e mosplotësimit të vendeve vakante të shkaktuara nga shkarkimet e vettingut.

Mungesa e gjyqtarëve po çon në kolaps Gjykatën e Shkallës së Parë dhe atë të Apelit në Korçë.

Alarmi është dhënë nga Dhoma lokale e Avokatisë, ku përfaqësues të saj shprehen se në Gjykatën e Apelit edhe pse është e paligjshme po komandohen gjykatës të shkallës së parë.

"Në Gjykatën e Apelit janë komanduar gjykatës të shkallës së parë e cila dihet shumë mirë që nuk është e ligjshme."

Aktualisht Gjykata e Shkallës së parë në Korçë ka 4 gjyqtarë dhe kryetarin, ndërsa në organikën e saj duhet të ketë 14 anëtarë.

Avokati, Arben Lena, shprehet se në këto kushte kur ka mungesë të gjyqtarëve, dhënia e drejtësisë është e pamundur dhe vë në pikëpyetje ligjshmërinë e vendimeve.

"Gjithësecili e di që të kesh 200 dosje është e pamundur jo ti lexosh dhe të kuptosh thelbin e dosjeve por as ti mbash mend fabulat e gjykimit."

Fenomeni duket se është i përhapur në gjithë vendin si pasojë e shkarkimeve nga vettingu pasi në të njëjtën situatë ndodhet edhe Gjykata e Apelit në Tiranë, e cila nga 31 gjyqtarë që duhet të ketë, aktualisht ka vetëm 6 prej tyre, ndërsa numri dosjeve në pritje për shqyrtim ka shkuar mbi 18 mijë.