Saimir Hoxha, ylli i 225-të në murin e nderit të Policisë së Shtetit

Nënkomisari, Saimir Hoxha, i vrarë në Lezhë tri ditë më parë do të jetë ylli i 225 në murin e nderit të Policisë së Shtetit. Ceremonia e nderimit për dëshmorin e policisë u zhvillua nën reshjet e shiut te Ministria e Brendshme ndërkohë që kryeministri Edi Rama vuri në dukje se shteti do të jetë pranë fëmijëve dhe familjes së nënkomisarit për çdo nevojë.

Nënkomisari Saimir Hoxha u përjetësua si dëshmor i policisë me yllin e 225 në murin e nderit të Ministrisë së Brendshme.

Të pranishëm ishin familjarët e dëshmorit më të ri të policisë, përfaqësues të Qeverisë, Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit.

Reshjet e shiut e bënë edhe më të vështirë ceremoninë e mbajtur në orët e mëngjesit te Ministria e Brendshme ndërsa edhe vetë kryeministri u detyrua të përmblidhte fjalimin e përgatitur.

"Nuk dua të zgjatem se besoj që ky shi që po bie rrëmbyeshëm i thotë më mirë se sa të gjitha fjalët dhe ndjenjat tona".

Megjithatë  Rama nuk la pa përmendur se gjatë qeverisjes së tij dëshmorët e policisë numërohen me gishtat e njërës dorë në raport me rastet e shumta sipas tij në periudhat e mëparshme.

"Është një kohë e gjatë qysh se është vendosur ylli i mëparshëm dhe në një kuptim është lehtësim, që në gjithë morinë e atyre yjeve në atë mur, në këto vite, numri i rasteve tragjike është më pak se gishtat e një dore. Nga ana tjetër statistikat  s’kanë rëndësi, sepse një jetë e vetme vlen sa gjithë jetët kur ajo humbet".

Nën reshjet e shiut që nuk pushoi gjatë gjithë ceremonisë, Kryeministri kujtoi edhe njëherë dorën e zgjatur të shtetit tek fëmijët e nënkomisarit të vrarë.

"Është një lehtësim të mendosh se fëmijët do të jenë të shoqëruar përdore jo vetëm nga nëna, gjyshërit, por dhe nga shteti, nuk do i mungojë asgjë njësoj sikur babai të ishte në jetë, përveç mungesës së tij që askush nuk e zëvendëson dot".

Nënkomisar Saimir Hoxha u ekzekutua me armë nga 21-vjeçari, Aldi Rama, gjatë një operacioni anti-kanabis në zonën e Vainit në Lezhë më 28 shtator 2021.