Marrëveshja për targat/ Presidentja e KE dhe Xhaçka e përshëndesin: Tani vijoni dialogun

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka përshëndetur marrëveshjen Kosovë-Serbi, që u arrit në Bruksel.

Teksa ka shpërndarë postimin e Miroslav Lajçak, të dërguarit e BE për çështjen, Von der leyen shkruan se dialogu duhet të vazhdojë.

"Unë mirëpres ngrohtësisht marrëveshjen e arritur sot në Bruksel midis Serbisë dhe Kosovës. Ky është një zhvillim shumë pozitiv pas takimeve të mia me Presidentin Vuçiç dhe kryeministrin Kurti. Është mirë për të gjithë rajonin. Dialogu tani duhet të vazhdojë", shkruan Von der Leyen.

Ndërkohë marrëveshja është përshëndetur dhe nga Tirana zyrtare. Nëpërmjet një postimi në Facebook, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka thotë  se Shqipëria mirëpret marrëveshjen e rritur n Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë.

"Shqipëria mirëpret marrëveshjen e arritur sot në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë. Vazhdimi i dialogut është e vetmja mënyrë për të ecur përpara në frymën e bashkëpunimit, ndaj të cilit Shqipëria është e angazhuar në mënyrë të pakthyeshme, në përpjekjet e saj dypalëshe dhe shumëpalëshe" shkruan Xhaçka në facebook.

Kosova dhe Serbia arritën të enjten marrëveshjen për zgjidhjen e krizës mbi reciprocitetin për targat e automjeteve.

Delegacionet e dy vendeve takuan këto dy ditë në Bruksel të dërguarin special të BE-së, Miroslav Lajçak, dhe diplomatin amerikan, Gabriel Eskobar.Reciprociteti për targat është bërë shkak nga 20 shtatori për rritjen e tensioneve mes Kosovës e Serbisë, për disa incidente dhe shfaqje të forcës ushtarake në kufirin verior kosovar.

Uashingtoni dhe Brukseli ngulmuan këto ditë për evitimin e acarimit të situatës.

Ndërkohë Prishtina zyrtare është deklaruar se ishte në të drejtën e saj sovrane të marrë një vendim që Serbia e aplikon prej vitesh përkundrejt saj.

Reciprociteti ishte bërë pengesë për dialogun dhe bëri që të anulohej një takim i planifikuar për këtë të enjte mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, në Bruksel./Ora News/